fbpx

Kosova ka kapacitet të strehojë deri në 10 mijë afganë

nga Revista Kosovarja

Krahas Qendrës së Azilit në Vranidoll dhe Magurë, refugjatët afganë që pritet të vijnë për strehim në Kosovë po pritet që të vendosen edhe tek Parku Inovativ në Prizren dhe tek kampi i KFOR-it francez në Maxhunaj të Vushtrrisë. E në bazë të këtyre kapaciteteve po besohet se në Kosovë mund të strehohen deri në 10 mijë civilë afganë për çka po kërkohet mbikëqyrje në aspektin e sigurisë.

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi thotë se gatishmëria e shtetit të Kosovës për të bashkëpunuar me shtetin amerikan për të strehuar refugjatët afganë është gjest i mirë në aspektin politik. Por siç shprehet ai, për Kosovën, kjo do të jetë një sfidë e madhe në aspektin e sigurisë dhe ekonomisë.

Lidhur me këtë çështje reagoi edhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se Kosova duhej të ofrohej vullnetarisht për të strehuar disidentët afganë.

Duke kujtuar përvojat e kaluara me riatdhesimin e kosovarëve që kanë qenë në vatrat e luftës, Haradinaj tha se një gjë e tillë nuk do të ishte mundur pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe se shteti ynë duhet të dijë të investojë në të tilla partneritete.

“Kam bërë një deklarim zyrtar, kam qenë i pari personazh publik që kam kërkuar që Kosova vullnetarisht të ofrohet për të strehuar disidentë, fjala është për lëvizje të caktuar të një populli i cili ka qenë aleat me aleatët tanë, në këtë rast me Amerikën, perëndimin, për të strehuar në Kosovë me kapacitetin e vet. Më vonë ka rezultuar që institucionet e Kosovës dhe të gjithë kanë qenë pro, i mirëpresim pra ata që i kërkojnë ndihmën tonë në këto situata, e unë jam thirrur edhe në faktin se e kam parë personalisht ndihmën e Amerikës që na ka ndihmuar të kthejmë nënat me fëmijë, pasi siç e dini ka nëna e fëmijë shqiptarë që mbahen në kampet e luftës në Siri, ka qenë e pamundur për ne t’i tërheqim pa ndihmën e Amerikës dhe është fat i madh që mund të bashkëpunojmë me Amerikën në këtë rast dhe afganët, ose të tjerët në Afganistan, që ta vazhdojmë këtë bashkëpunim që t’i rikthejmë, se ju i keni parë porositë, pra Kosova duhet të dijë të investojë në këtë partneritet për sigurinë e vet dhe qytetarëve të vet por edhe me qenë për sigurinë globale”, deklaroi Haradinaj gjatë një konference pasditen e sotme.

KosovaPress ka tentuar të marr një deklarim nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga Zyra e Kryeministrit, por nuk kanë dashur të flasin, ndërsa dje nga ekzekutivi u shpreh se nga muaji korrik kanë qenë në kontakt me autoritetet amerikane për të strehuar afganët që kanë punuar me forcat amerikane në Afganistan.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se pa asnjë hezitim është pro sjelljes së refugjatëve afganë në Kosovë, si operacion humanitar, nisur nga parimi njerëzor “se nuk i mbyllen dyert atyre që pa fajin e dëshirën e tyre janë të detyruar të lënë vatrat e tyre, për t’i ikur përndjekjeve dhe për të shpëtuar jetë”.

Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani u largua më 15 gusht nga vendi për në Taxhikistan dhe qeveria e tij u rrëzua, teksa militantët talebanë hynë në kryeqytetin afgan, Kabul. Talebanët kanë marrë nën kontroll gjysmën e qarqeve të kryeqytetit dhe Pallatin presidencial, teksa misionet diplomatike po shpejtojnë që të evakuojnë personelin e tyre.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]