Kosova, Shqipëria dhe Kroacia do të nënshkruajnë të martën në Tiranë Deklaratën trilaterale me qëllim forcimin e bashkëpunimit trepalësh mes vendeve, teksa në këtë aleancë është ftuar edhe Bullgaria.
Përveç bashkëpunimit ushtarak dhe strategjik, kjo aleancë përfshin edhe bashkëpunimin në fushën e industrisë së mbrojtjes, raportoi mediumi kroat “Veçrenji list”.
Kjo deklaratë u nënshkrua nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe homologët e tij nga Shqipëria Niko Peleshi dhe Kroacia, Ivan Anushiq.
Ky dokument përfshin bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, operacione të përbashkëta ushtarake dhe trajnime të përbashkëta.
Ky pakt ndodhi për shkak të sfidave gjeopolitike dhe të sigurisë në Evropën Juglindore, si edhe ndikimeve të jashtme në rajon.
Ministri kroat theksoi se qëllimi është të forcohet stabiliteti rajonal dhe të përmirësohet ndërveprueshmëria midis forcave të armatosura të tre vendeve, duke përfshirë stërvitje të përbashkëta dhe shkëmbim të përvojave ushtarake.
“Tre shtetet do të jenë të përgatitura për t’u përballur me sfidat e ardhshme të sigurisë në Evropën Juglindore dhe ekziston mundësia që kjo aleancë ushtarake trilaterale të zgjerohet në të ardhmen me Bullgarinë”, ka thënë ministri kroat.
Javën e kaluar, Maqedonci në një konferencë për media, ka njoftuar se kjo ngjarje është e para e tillë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.