Të gjitha qendrat e votimit në katër komunat në veri të Kosovës janë hapur me kohë.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media.
“Janë hapur me kohë të gjitha qendrat e votimit. Gjithsejt janë 19 qendra të votimit që do të presin qytetarët me të drejtë vote gjatë ditës së sotme për të hedhur votën e tyre. Gjashtë prej tyre janë të rregullta ndërsa 13 të tjera janë alternative”, tha Elezi.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë të drejtën e votës.
Ndërkohë, edhe nga Policia e Kosovës kanë njoftuar se ka filluar me sukses zbatimi i planit operacional për ofrimin e sigurisë në zgjedhje.
PK, përmes një komunikate, tha se janë angazhuar policë të mjaftueshëm.
“Zbatimi i planit operativ është duke u realizuar konform fazave të parapara me qëllim të krijimit të një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës gjatë procesit të votimit sot, siç e quajmë në ditën (z), ku janë angazhuar zyrtarë policorë në numër të mjaftueshëm”, bëri të ditur policia.
KQZ ka numëruar 45,095 qytetarë me të drejtë vote në këto katër komuna.
Konferenca e radhës për media e KQZ-së është paraparë të mbahet në orën 11:30.