Milazim Krasniqi para disa orësh ka publikuar një status në lidhje me vrasjen e Liridonës.
Postimi i plotë:
E shikova profilin e Naim Murselit në fejsbuk. Duket e pabesueshme se si një person i tillë, anonimus, ka arritë të jetë prezent e akter në majat e politikës e të shoqërisë së lartë. Në fejsbuk kishte fotografi të tij të shumta me Behxhet Pacollin, po edhe me Hashim Thaçin, Albin Kurtin, Vjosa Osmanin, Ramush Haradinajn, Edi Ramën, Dritan Abazoviqin, Erik Trampin, Eliot Engelin, Stipe Mesiqin, etj.
Fotot e tij të shumta me Dua Lipen po meritonin studim të veçantë, për afërsinë e pazakonshme. Kishte foto edhe me Rita Oren e me Olta Gixharin. Kishte edhe fotot e djemve në shumë raste. Por, asnjë foto të gruas. Fotot e shumta në Dubai, Suedi e kahmos tregojnë për një jetë luksoze të këtij njeriu.
Nuk e di pse ma kujtoj romanin “Një tragjedi amerikane” të Teodor Drajzerit. Protagonisti i atij romani, Klajd Grific, kur hyn në shoqërinë e lartë, e përjeton si pengesë të dashuren e vet, e cila e ka ngritë në këmbë dhe e ka futur në atë shoqëri. Ai e organizon vrasjen e saj, duke e mbytur në liqen. Pra, kur një kurrkushi hyn në shoqërinë e lartë, humb ekuilibrin dhe mund të bëhet kriminel, në tentimin që ta fshijë e ta fshehtë të kaluarën.
Ajo që është edhe më e hidhur në rastin e Naim Murselit është kjo: si është e mundur që një anonimus, të arrijë të jetë aq prezent në ato nivele të larta të politikës e të shoqërisë së lartë? A ka ndonjë kriter? A ka ndonjë filter? (Natyrisht fotografitë në ato nivele, përveç në disa raste, nuk e tregojnë afërsinë e tij me figurat politike, por tregojnë rrezikun e inflitrimit të personave të rrezikshëm në afërsi të figurave të larta politike.)
Duke ndier dhimbje për vdekjen e asaj gruaje, kam ndiesinë se në vrasjen e saj ka marrë pjesë antivlera, që ka zënë kryet e vendit në shoqërinë tonë. E vetmja shpresë na mbetet efikasiteti i policisë së shtetit tonë. Profesionalizmi dhe guximi i tyre meriton respektin e çdo qytetari të këtij vendi. (1 dhjetor 2023)