fbpx

Kryeministri Kurti: Duke nxjerrë mësime nga Holokausti, ShBA-ja dhe vendet e NATO-s ndaluan thellimin e gjenocidit të Serbisë mbi shqiptarët në Kosovë

nga Revista Kosovarja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit, i ka kujtuar viktimat e ditëve të errëta të Luftës së Dytë Botërore.

Në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se duke nxjerrë mësime edhe nga Holokausti, ShBA-ja dhe vendet e NATO-s që bombarduan Jugosllavinë më 1999, ndaluan thellimin e gjenocidit të Serbisë mbi shqiptarët në Kosovë, njofton Klan Kosova.

“Holokausti dhe krimet e kësaj lufte, i dhanë forcë dhe njohje ndërkombëtare konceptit ‘gjenocid’, të konceptualizuar më 1944 nga juristi polak Raphael Lemkin, për të emërtuar aktet e vrasjeve dhe shkatërrimet e qëllimshme, të pjesshme apo të tërësishme, të një komuniteti të caktuar etnik, kombëtar, fetar apo racor. Në vitet aq të errëta të Luftës së Dytë Botërore, kur hebrenjtë përndiqeshin gjithandej dhe vriteshin si dhe kur pak dyer ishin të hapura për ta, disa qindra hebrenj të ikur nga vende të ndryshme të Evropës, u morën nën mbrojtje nga shqiptarët dhe u strehuan duke u shpëtuar”.

Sipas Kurtit, duke qenë edhe vetë viktima të gjenocidit, dëbimit, spastrimit etnik dhe krimeve kundër njerëzimit të kryera nga Serbia mbi ta, shqiptarët kanë kultivuar një empati të veçantë për këto lloj krimesh që nga koha e Holokaustit.

“Dhe kjo empati rezultoi të ishte e ndërsjellë, kur më 12 prill 1999, një i mbijetuar tjetër hebre i Aushvicit dhe Buhenvaldit, nobelisti i paqes Eli Wiesel, e përqasi Kosovën me Holokaustin në diskutimin e tij ‘Rreziqet e indiferencës: mësimet e një shekulli të dhunshëm’, në kuadër të ‘Mbrëmjes së Mijëvjeçairt’, organizuar në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti i atëhershëm amerikan Bill Clinton. Pasi kishte vizituar kampet e refugjatëve të shqiptarëve të dëbuar nga Kosova prej forcave serbe, duke këshilluar që të mos bëheshin krahasime pasi çdo vuajtje është unike, Wiesel tha se ‘kjo situatë kërkon veprim dhe jo krahasim’, duke mbështetur ndërhyrjen e NATO-s për të ndalur krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë. Koha u dha të drejtë të dyve: si Wieselit edhe Clintonit!”

“Duke nxjerrë mësime edhe nga Holokausti, ShBA-ja dhe vendet e NATO-s që bombarduan Jugosllavinë më 1999, ndaluan thellimin e gjenocidit të Serbisë mbi shqiptarët në Kosovë. Atë kohë edhe Izraeli priti dhe strehoi disa dhjetëra refugjatë shqiptarë nga Kosova. 20 vite më pas, Izraeli njohu shtetin e Republikës së Kosovës. Duke i përkujtuar gjithherë, populli dhe institucionet e Kosovës nuk do t’i harrojnë asnjëherë viktimat e Holokaustit, të asaj kohe kur duke strehuar dhe shpëtuar hebrenjtë e ikur, shqiptarët dhanë provën e tyre tashmë të njohur botërisht, si njerëz fisnikë mes kombesh”.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]