Deputetja e sapozgjedhur, Duda Balje, ka shpërndarë një reagim të disa aktivistëve dhe intelektualëve boshnjakë nga Gora, të cilët e akuzojnë kryetaren e NDS-së, Emilija Rexhepi, për mohimin e vazhdueshëm të boshnjakëve.
Këto përplasje vijnë pas raportimeve ditë më parë se Kurti ka arritur marrëveshje me Baljen, të cilës thuhet se i është premtuar një post ministror në qeverinë e ardhshme.
Lidhur me këtë, Emilija Rexhepi kishte reaguar ashpër, madje duke paralajmëruar se nuk do ta votonte qeverinë Kurti 3.
Megjithatë, pas një takimi konsultativ me Kurtin, Rexhepi ndryshoi qëndrim, duke deklaruar për media: “Unë e votoj qeverinë Kurti 3”.
Ndërkohë, Duda Balje ka kërkuar edhe formimin e një komune boshnjake, për të cilën tha se është një proces që do të zgjasë disa vite.
“Për ju që nuk kuptoni asgjë fare, marrja e komunës është një proces që mund të zgjasë disa vite… kështu që nuk ka nevojë për kaq frikë dhe urrejtje”, deklaroi Balje.
Por tensionet u shtuan më tej pas një interviste të Rexhepit në emisionin “Poglavlje” në RTK2, ku ajo la të kuptohet se Balje nuk është boshnjake dhe se çështjen e komunës po e përdor për qëllime politike.
Në reagimin e shpërndarë nga Balje, një grup aktivistësh dhe intelektualësh nga Gora e dënojnë ashpër këtë deklaratë, duke e cilësuar si mohim të identitetit boshnjak.
Ata e quajnë të papranueshme që një përfaqësuese e komuniteteve joshumicë të shfaqë qëndrime përjashtuese ndaj pjesëtarëve të komunitetit që ajo vetë përfaqëson.
“Deklarata e fundit publike ku ajo mohoi përkatësinë boshnjake të Baljes, është një vazhdimësi e një qëndrimi të rrezikshëm. Është e papranueshme që një përfaqësuese politike të përçmojë identitetin kombëtar të pjesëtarëve të komunitetit të vet, për arsye politike apo personale”, thuhet në reagim.
Ata kujtojnë se gjatë fushatës së fundit zgjedhore, Rexhepi kishte vizituar Goren më shumë se kushdo tjetër dhe përfshiu kandidatë nga kjo zonë në listën e saj, duke shtuar pyetjen nëse ajo i njeh boshnjakët e Gorës vetëm kur i duhen votat.
Balje paralajmëroi se deklarata të tilla mund të kenë edhe pasoja ligjore për Rexhepin.
“Boshnjakët e Gorës nuk mohohen – ata respektohen!”, thuhet në fund të deklaratës së shpërndarë nga Balje.