Së fundi, edhe Albulena Haxhiu e VV-së është deklaruar në favor të një rezerve rreth hapjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem, shkruan “Kosovarja”.
Marrëveshja e 4 shtatorit në Uashington, aq sa dihet deri më tash, e obligon Serbinë dhe Kosovën për hapjen e ambasadave të tyre në Jerusalem.
BE-ja është deklaruar kundër vendosjes diplomatike në qytetin e miteve, ku izraelitët pohojnë se është qytet i shenjtë hebre, ndërsa palestinezët thonë se është kryeqyteti i saj dhe vendi më domethënëse i historisë palestineze.
SHBA-të e kanë vendosur tashmë ambasadën e tyre në Jerusalemin izraelit dhe këtë vendim e mori ish-presidenti amerikan Tramp.
Njohësit e rrethanave diplomatike vlerësojnë se Kosova duhet ta ketë ambasadën në çdo vend ku e ka edhe Amerika, meqë është aleati i vetëm i pa rezervë ndaj shtetit të Kosovës.
Turqia dhe shumë shtete arabe janë kundërshtarë të ashpër që Izraeli t’i zhvendosë ambasadat nga Tel Avivi për t’i vendosur në Jerusalem.
Por, ajo çka i përket shtetit të Kosovës, njohja nga Izraeli ka qenë një tmerr për Serbinë dhe aleatët e saj.
Andaj, Kosova duhet ta mbështesë politikën amerikane dhe nuk guxon të kalojë në anën e shteteve që Kosovën e shohin vetëm si një rast, e ku kryqëzohen shpatat diplomatike të botës së konfrontuar.
Kështu, shteti i Kosovës duhet t’i shikojë interesat e veta. Dhe, nëse nuk e pranon Jerusalemin për kryeqytet diplomatik të Izraelit, Izraeli mund ta tërheqë njohjen, me siguri.
Në të kundërtën, rreshtimi kah Turqia e Erdoganit, e cila e ka humbur simpatinë e bllokut proamerikan pas një marrëdhënie bashkëpunimi ushtarak me Rusinë, nuk është e dobishme.
Andaj, deklarata e Kurtit se do të shqyrtohet hapja e ambasadës në Jerusalem, lë shije të keqe.
Kosova e di mirë që Palestina e njehë Serbinë e jo Kosovën, ashtu siç janë kundër edhe disa shtete arabe, të rreshtuara kah Rusia.
Prandaj, Kurti nuk duhet të rreshtohet kundër Amerikës, edhe nëse është në pyetje Jerusalemi. Safet Krivaça /Kosovarja/