fbpx

Kurti në mbledhjen festive të Qeverisë: Kosova është dhe do të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim

nga Revista Kosovarja

Qeveria e Kosovës po mban sot një mbledhje festive për 16 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Në fjalën e tij, Kryeministri Albin Kurti tha se Kosova është “shtëpia e përbashkët”, që u ndërtua me mbështetjen e aleatëve.

Tutje, Kurti tha se shteti po zhvillohet përkundër sfidave.

“Pas luftës shkatërruese 1998-1999, në rindërtuam shtëpitë tanë. Me mbështetjen nga aleatët tanë ndërkombëtarë, ne ndërtuam shtëpinë tonë të përbashkët, Republikën e Kosovës. Një Republikë parlamentare e mirëfilltë, me drejtësi e barazi për qytetarët e saj, kontribuese në paqe dhe garanci për paqe. Një shtet që vlerat demokratike, respektimin e të drejtave të njeriut e të gjitha pakicave dhe drejtësinë sociale e solidaritetin, i ka në thelb të çdo kursi politik dhe shoqëror. Një çerek shekulli pas luftës, Republika jonë qëndron e fortë. Ne qëndrojmë krenarë sepse përkundër sfidave, shteti ynë po zhvillohet”, tha Kurti.

Kurti uroi të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë ditë, derisa tha se Republika e Kosovës ishte, është dhe do të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim

“Ashtu sikurse ditën kur u shpall, 16 vite më parë, ashtu edhe sot si dhe cdo ditë më tej, Republika e Kosovës ishte, është dhe do të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim. Andaj sot festojmë e urojmë e përgëzojmë jo vetëm shqiptarët, por edhe komunitetet joshumicë në Republikën tonë, serbët, boshnjakët, turqit, romët, ashkalinjtë, egjiptianët, goranët, por edhe malazëzët, kroatët etj”, shtoi Kurti.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]