Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nga data 1 janari i vitit 2025, mbajtësit e dokumenteve të identifikimit të Bosnje dhe Hercegovinës do të mund udhëtojnë për në Kosovë lirshëm.
“Ndërsa entiteti Republika Srpska refuzon ratifikimin e marrëveshjes së lëvizshmërisë për lëvizje të lirë me ID, që vendi im ishte i pari në rajon që e ratifikoi në Parlament, unë kam vendosur t’i jap fund pritjes. Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës në mënyrë të njëanshme do të lejojë lëvizjen e lirë për mbajtësit e ID të Bosnjës dhe Hercegovinës”, ka thënë Kurti.
Siç shtoi ai, për një dekadë Procesi i Berlinit ka luajtur një rol kyç në afrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe përparimin drejt BE-së.
Pavarësisht sfidave të brendshme dhe të jashtme, thotë Kurti, procesi i Berlinit mbetet forca lëvizëse për integrimin evropian dhe filli që lidh gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Kjo është ajo që ne njohim dhe festojmë sot këtu në Berlin. Tregu i Përbashkët Rajonal (CRM) është një nga arritjet e tij më të mëdha. Është fituar vrull i ri pas tejkalimit të ngërçit brenda Cefta. Tani ne mund të ecim përpara me një ritëm tjetër, me barazia në qendër dhe qytetarët si përdorues të fundit”, shprehet ai.