fbpx

Kurti takon ambasadorin gjerman, flasin për formimin e Qeverisë dhe heqjen e masave të BE-së

nga Revista Kosovarja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje e ka pritur në takim ambasadorin e Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde. Siç bëhet e ditur nga Zyra e Kryeministrit, gjatë këtij takimi u diskutuan tema të rëndësishme për zhvillimet politike në vend, përfshirë formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, forcimin e sundimit të ligjit dhe masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

Kurti e përsëriti kërkesën për heqjen e masave që BE-ja ka vendosur ndaj Kosovës në vitin 2023, si pasojë e përshkallëzimit të situatës në veri të vendit.

“Në këtë kontekst, u diskutua edhe për zhvillimet aktuale në vend lidhur me formimin e qeverisë së re në Kosovë, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Gjatë takimit u trajtuan edhe tema të tjera të politikës së brendshme, përfshirë sundimin e ligjit. Një pikë tjetër e diskutimit ishte edhe masat e BE-së ndaj Kosovës, ku kryeministri Kurti përsëriti nevojën për heqjen e tyre”, shkruhet në njoftimin e ZKM-së.

Kujtojmë se Parlamenti Evropian dje ka kërkuar heqjen e masave ndaj Kosovës, duke argumentuar se ato janë në kundërshtim me përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave evropiane dhe me politikat që ajo po ndjek për t’u përshtatur me standardet e BE-së.

Nga ana tjetër, shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Aivo Orav, ka theksuar se për heqjen e masave nevojitet konsensusi i 27 shteteve anëtare të BE-së, dhe ka shtuar se diskutimet për këtë çështje janë ende në proces.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]