fbpx

Kurti: Targat “KS” s’mund të rikthehen më në qarkullim

nga Revista Kosovarja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se targat KS nuk është e nevojshme dhe nuk mund të rikthehen në qarkullim.

Në adresimin e tij para nisjes së mbledhjes së Qeverisë, Kurti ka thënë se vetë presidenti i Serbisë duke e nënshkruar marrëveshjen e vitit 2016, e ka pranuar që këto targa janë ilegale dhe se mundësia për regjistrim me to është e përkohshme deri në vitin 2021.

“Në marrëveshjen e vitit 2016 vetë presidenti i Serbisë si nënshkrues i saj e ka pranuar që këto targa janë ilegale, si dhe ka pranuar që mundësia për regjistrim me targa KS është e përkohshme deri në shtator të vitit 2021, ata që i kanë konvertuar veturat e tyre gjatë periudhës janar 2017- janar 2018, po ashtu e kanë ditur këtë dhe rrjedhimisht që nga shtatori i vitit 2021 i kanë konvertuar këto targa nga KS në RKS pa asnjë incident të vetëm. Targat KS nuk ka nevojë dhe nuk mund të rikthehen më në qarkullim”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk mund të legjitimojë neutralitet vetanak ndaj vetë statusit të saj, duke shtuar se një prej opsioneve ka qenë që të prodhohen targa neutrale.

Kurti ka shtuar se pala serbe po e eskalon retorikën dhe veprimet në fushën e sigurisë, duke cenuar sigurinë nacionale dhe rajonale në përgjithësi.

“Jam thellësisht i bindur se pala serbe panevojshëm dhe krejt artificialisht është duke e eskaluar retorikën ashtu edhe veprimet në fushën e sigurisë, kjo bashkë me kërcënimet e vazhdueshme ndaj qytetarëve të Kosovës, si e tillë kjo përbën cenim të drejtpërdrejt si të sigurisë nacionale, ashtu edhe të rajonit në përgjithësi. Mendoj se këto kërcënime synojnë që padrejtësisht të krijojnë epërsi në negociata duke kërcënuar BE-në, SHBA-në apo Mbretërinë e Bashkuar me tensione në të ardhmen”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se kërcënimet me largim eventual të qytetarëve të minoritetit serb përbëjnë dominim të narrativës së kriminelëve si Milan Radojçiq e jo të atyre që integrimin e shohin si opsion primar.

“Unë nuk jam prononcuar pas takimit të datës 18 gusht meqë ka pasur një dakordim intern për mosprononcim, për mosacarim, nga brenga që kjo do të ndikonte negativisht në ecurinë e dialogut, jo të gjithë i janë përmbajtur këtij dakordimi”, ka theksuar më tej Kurti.
Kurti: Propozova gjashtë pika për marrëveshjen kornizë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë ka raportuar për takimin që pati në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.

Ai ka thënë se në takim ishte paraparë të diskutohej vetëm për dy tema – diskutimi për elemente të marrëveshjes finale dhe çështjet aktuale.

Kurti ka thënë se te tema e parë ka elaboruar në detaje këndvështrimet e Kosovës për marrëveshjen kornizë dhe elementet që duhet të përfshihen në të.

“Kemi elaboruar në gjashtë kapituj. Kapitulli i parë të definonte qartë statusin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve e kontekstin ndërkombëtar, që nënkupton në njërën anë njohje reciproke e në anën tjetër rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë në organizata ndërkombëtare. Në kapitullin e dytë duhet të trajtojmë ballafaqimin me të kaluarën, të adresojmë të kaluarën ku hyjnë personat e zhdukur me dhunë, viktimat e dhunës seksuale, personat e zhvendosur, drejtësia tranzicionale, dëmet materiale dhe jomateriale të luftës, kthimi i dokumentacioneve publike dhe artefakteve arkeologjike e etnologjike. Pas trajtimit të plotë të së kaluarës mund të diskutojmë për të ardhmen, që ka të bëjë me vendosjen e bashkëpunimit me dy vendeve. Pas trajtimit të plotë të së kaluarës mund të diskutojmë për hapat e të ardhmes, që kanë të bëjnë me vendosjen e bashkëpunimit”, ka thënë Kurti.

Ai ka treguar se si pikënisje e bashkëpunimit janë katër liritë themelore të procesit të Berlinit.

“Në kapitullin e katërt kemi ofruar trajtimin e barabartë të pakicave respektive, si për serbët në Kosovë ashtu edhe shqiptarët në Serbi. Në kapitullin e pestë duhet të konsiderojmë marrëveshjet e deritashme, por jo me idenë e rinegocimit të tyre, siç është plasur dezinformata nga pala tjetër, por shqyrtimi i asaj se cilat nga këto marrëveshje veçse janë tejlaluar nga pranimi e nënshkrimi i marrëveshjes finale ligjërisht të obligueshme e cilat prej tyre duhet të vazhdojnë të implementohen. Kapitulli i fundit ka të bëjë me vendosjen e mekanizmave për zbatimin e marrëveshjeve dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve eventuale gjatë zbatimit. Ka qenë pritja jonë që pika e parë e agjendës të konsumonte pjesën më të madhe të kohës, e për këtë arsye kemi qenë të gatshëm të qëndrojnë përtej të enjtes”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se elaborimi i tij nuk është shoqëruar me kontribut pozitiv nga pala serbe.

“Duhet të bisedojmë për kornizën e marrëveshjes së përgjithshme ligjërisht obliguese, e jo menaxhim krize me hapa të vegjël e probleme eventuale e potenciale të sigurisë. Unë isha atje si kryeministër i Kosovës, e jo si polic, doganier, prokuror, gjykatës, apo shef i kadastrit. Shkova si kryeministër”, ka thënë Kurti.

Kurti: Dokumenti dakordues për të pagjeturit mund të nënshkruhej, por s’pati gatishmëri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se te tema e personave të zhdukur me dhunë nuk ka pasur gatishmëri nga pala serbe që të nënshkruhet dokumenti dakordues.

Ai ka thënë se pa fajin e Kosovës, është pala tjetër që nuk ka interesim.

Kurti ka thënë se kjo marrëveshje mund të nënshkruhej të enjten që shkoi.

“Ndërkaq marrëveshja për lirinë e lëvizjes ka ardhur si temë me katër propozime nga emisari i BE-së, Miroslav Lajçaku. Deklaratat se ka pasur gatishmëri dhe propozime nga njëra palë, janë të pavërteta. Ne ende kemi qenë të hapur për bisedime por nga ndërtesa ka dalë pala tjetër. Ne jemi të interesuar për lirinë e lëvizjes. Sikur tani nuk ka targa të përkohshme as andej as këndej, mirë është që të mos ketë as letra ngjitëse. Pra duhet të ndodhë njohja reciproke e letërnjoftimeve dhe patentë-shoferëve. Ne kemi dhënë idenë që të njihen të gjitha dokumentet”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se besojnë se kjo nuk nënkupton njohje reciproke mes palëve.

Sipas tij, Greqia nuk e ka njohur ende Kosovën, por i njeh pasaportat e letërnjoftimet, lëshon viza e i njeh targat.

Kurti ka thënë se kur flitet për njohje reciproke, reciprociteti është fryma.

“Ne nuk jemi duke negociuar lirinë e lëvizjes mes Kosovës dhe Serbisë por vetëm jemi duke zbatuar elementet e dakorduara nga Serbia në korrik të vitit 2011 dhe në shtator të vitit 2016. Ata po dëshirojnë që një marrëveshje të dakorduar ta zbatojnë vetëm ata dhe jo ne. Kosova nuk mund të marr vendime që e vënë në pikëpyetje pavarësinë e vendit. Pavarësia e vendit nënkupton se nuk mund të promovohet një rend i ndryshëm për një pjesë të territorit”, ka thënë ai. /Koha

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]