Më 11 korrik, deputetët e Kuvendit të Kosovës, miratuan në lexim të dytë Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, i cili mes të tjerash parashihte licencimin e mediave online, monitorimin e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro. Në votim nuk patën marrë pjesë deputetët e opozitës pasi u larguan nga salla meqë kërkesa për heqjen e këtij projektligji nga rendi i ditës nuk ishte përkrahur nga VV.
Gjatë prezantimit të këtij projektligji, Kryetari i Parlamentit atëherë Glauk Konjufca kishte thënë se Komisioni parlamentar për integrim, ka deklaruar se amendamentet e projektligjit janë pjesërisht në pajtim me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Mirëpo miratimi i projektligjit për KPM’në u kritikua nga ndërkombëtarët, opozita e Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Shefi i atëhershëm i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, pati shprehur keqardhje që Kuvendi e miratoi ligjin “pa i adresuar shqetësimet” dhe nuk u rreshtua përkrah standardeve të BE-së.
Ndërsa, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se Kosova i shpërfilli qëndrimet e BE-së, Këshillit të Evropës dhe OSBE-së për këtë ligj.
“Kosovarët duan të jenë pjesë e familjes evropiane dhe, nëse Qeveria e Kosovës dëshiron ta përshpejtojë rrugën e saj drejt BE-së, atëherë çdo ligj i ri duhet të jetë plotësisht në përputhje me standardet evropiane”, ka shkruar ai në “X”.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, pati thënë se miratimi i këtij projektligji është goditje ndaj lirisë së medies dhe tentim për disiplinim dhe kontroll të tyre.
Përmes një komunikate për medie, AGK ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje e Kryeministrit Kurti, e ka miratuar ligjin me kuorumin minimal, dhe pa prezencën e opozitës në sallë.
“Votimi i sotëm është prej goditjeve më të mëdha që Qeveria e Kosovës dhe Vetëvendosje ka bërë kundër lirisë së medies në Kosovë, në një përpjekje të nisur qysh prej fillimit të mandatit për disiplinimin dhe kontrollimin e tyre”, thuhej në reagimin e AGK’së.
Pas disa ditëve për këtë projektligj Gjykatës Kushtetuese i ishin drejtuar dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Sot Kushtetuesja lëshoi njoftimin për shfuqizimin e këtij ligji të kontestueshëm, ku thotë se është vendosur që të shfuqizohet.
“Gjykata, njëzëri ka vendosur (i) të deklarojë kërkesat të pranueshme; si dhe (ii) të konstatojë se, nën-paragrafët 1.2 dhe 1.3 të paragrafit 1 të nenit 15 (Zgjedhja e anëtarëve të KPM) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me nenin 141 [Komisioni i Pavarur i Medieve] të Kushtetutës; (iii) të konstatojë se, nën-paragrafët 3.4 dhe 3.5 të paragrafit 3 të nenit 18 (Shkarkimi i Kryetarit dhe anëtarit të KPM-së) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me nenin 7 [Vlerat] dhe nenin 141 [Komisioni i Pavarur i Medieve] të Kushtetutës; (iv) të konstatojë se, nën-paragrafët 2.4 dhe 2.5 të paragrafit 2 të nenit 4 (Kompetencat e KPM-së), paragrafi 5 i nenit 25 (Leja e transmetimit dhe ripërtëritja e tyre) dhe paragrafi 2 i nenit 43 (Rregullimi i pronësisë së të licencuarave/regjistruarave) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (v) të konstatojë se, pika 1.2.1 dhe pika 1.2.24, e nën-paragrafit 1.2 të paragrafit 1 dhe pikat 1.3.5 dhe 1.3.6 të nën-paragrafit 1.3 të paragrafit 1 të nenit 60 (Sanksionet me gjobë) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (vi) të konstatojë se Ligji i kontestuar, shfuqizohet; si dhe (vii) të refuzojë kërkesat për masë të përkohshme.”, thuhet në njoftim.