fbpx

Ky është shoferi 28 vjeçar që dyshohet se shkaktoi aksidentin me fatalitet në Bresje

nga Revista Kosovarja

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në rrugën magjistrale Prishtinë – Pejë, pikërisht te semaforët në fshatin Bresje, ku një këmbësor ka humbur jetën. Viktima është goditur për vdekje nga një veturë në lëvizje, ndërsa shoferi i dyshuar tashmë është arrestuar, raporton Gazeta Sinjali.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale e Prishtinës, e cila ka bërë të ditur se i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personi që dyshohet se shkaktoi aksidentin është Egzon Berjani, 28-vjeçar.

“Vozitësi është arrestuar, pasi dyshohet se me veturë ka goditur këmbësorin mashkull kosovar, dhe si pasojë, viktima ka vdekur në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje,” – njoftoi Policia.

Berjani dyshohet se përplasi këmbësorin Selim Muqiqi, rreth 63-vjeçar, i cili nuk arriti t’iu bëjë ballë plagëve dhe vdiq.

Vdekja e viktimës është konstatuar nga ekipi mjekësor që ka intervenuar në vendin e ngjarjes, dhe më pas trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML).

Në vendin e ngjarjes, njësitet përkatëse të Policisë kanë kryer ekzaminimet e nevojshme, ndërsa Njësia e Trafikut Rajonal ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e këtij aksidenti.

Lidhur me rastin, është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]