fbpx

Latifi: Deklarata e Gërvallës dëmton imazhin e Kosovës, s’jemi në pozitë të tallemi me BE-në

nga Revista Kosovarja

Analisti Blerim Latifi ka reaguar pas deklaratave të kryediploamtes kosovare, Donika Gërvalla, duke thënë se dëmtohet imazhi i Kosovës dhe reputacioni i vetë ministrës.

Latifi tha se Kosova nuk mund të tallet me BE-në, derisa theksoi se “Tigri prej letre”, është sllogani i Mao Ce Dunit, figurë politike e komunizmit kinez.

“Bashkimi Europian mund dhe duhet kritikuar për shumë gjëra në raport me Kosovën, por jo duke u shërbyer me fjalor politik kinez. Sepse jo vetëm që nuk arrijmë gjë me këtë lloj fjalori, por, përkundrazi, mund të dukemi edhe qesharakë” , ka shkruar ai në Facebook.

Postimi i plotë:

Ministrja jonë e jashtme, Donika Gërvalla, e paska quajtur Bashkimin Europian “një tigër prej letre”.

Kjo është një deklaratë e dëmshme për reputacionin diplomatik të Gërvallës dhe rrjedhimisht edhe për imazhin e Kosovës.

Pse?

E para, sepse ne nuk jemi në aso pozite sa të tallemi me dikënd duke i thënë “je tigër prej letre”, aq më pak Bashkimit Europian.

E dyta, sepse në gjuhën diplomatike “tigri prej letre” është figurë politike e komunizmit kinez, është sllogani ma i dashur i Mao Ce Dunit, i cili, sa herë i nxirrin parasysh fuqinë amerikane, thoshte se “Amerika është tigër prej letre”.

Bashkimi Europian mund dhe duhet kritikuar për shumë gjëra në raport me Kosovën, por jo duke u shërbyer me fjalor politik kinez. Sepse jo vetëm që nuk arrijmë gjë me këtë lloj fjalori, por, përkundrazi, mund të dukemi edhe qesharakë.

E të dukesh qesharak në diplomaci, është dëm shumë i madh.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]