Sot në Prishtinë, për herë të parë, Forumi Ekonomik i Vjenës, në bashkëorganizim me Zyrën e Kryeministrit po mban konferencën Vienna Economic Talks – Prishtina Meeting 2023, ku po marrin pjesë përfaqësues të ndryshëm institucionalë dhe pjesëtarë të komunitetit të bizneseve.
Në këtë Konferencë mori pjesē edhe filantropi e afaristi i njohur Lazim Destani, i ftuar nga Presidenti i Vienna Economic Forum (VEF).
Destani, në instagramin e tij e shënoi këtë ngjarje, duke cekur se, duhet forcuar urat tona me fqinjët tanë të Ballkanit Perëndimor.
Ja postimi i plotë:
I ftuar nga Presidenti i Vienna Economic Forum (VEF) sot pata nderin të marr pjesë në Konferencën me temë, “Vienna Economic Talks – Prishtina Meeting 2023” që i zhvilloi punimet në Prishtinë nën patronatin e Kryeministrit Albin Kurti.
Në fjalën e saj hapëse të konferencës, Ambasadorja Elena Kirtcheva, Sekretare e Përgjithshme e VEF, tha se qëllimi kryesor i Forumit është konsolidimi i rajonit. Ndër të tjera ajo nënvizoi se rajoni ka nevojë për Europën por edhe Europa ka nevojë për rajonin tonë. Edhe Presidenti i VEF, Ambasadori Victor Jackovich, në fjalën e tij u shpreh mjaft inkurajues për ekonominë e për të ardhmen e Kosovës.
Ndërsa në fjalën e tij si nikoqir i konferencës, kryefjala e Kryeministrit Kurti ishte energjia e rinovueshme dhe projektet ambicioze për t’i bërë realitet gjatë viteve të gjelbra në vijim, brenda 10 viteve të ardhshme.
Në këtë koferencë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës e të rajonit morën pjesë shumë sipërmarrës nga vendi dhe Europa, si dhe përfaqësues të Odave Ekonomike, si Dhoma e Biznesit të Diasporës nga Tirana, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, etj. Në kuadër të konferencës pata rastin e kënaqësinë të zhvilloj takime me një numër sipërmarrësish e përfaqësues kompanishë që morën pjesë në këtë Forum Ekonomik.