fbpx

Lëshohet urdhëresë që Adem Grabovci të sillet me forcë në gjykatë

nga Revista Kosovarja

Ish-deputetët e LDK-së Ismet Beqiri dhe Sabri Hamiti kanë thënë se nuk e dinë nëse Driton Çaushi ka hedhur gaz lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës, në seancën e 10 gushtit 2016. Ndërsa, ndaj ish-deputetit të PDK-së, Adem Grabovci është lëshuar urdhëresë që të sillet me forcë në gjykatë pasi ka munguar në seancën e së martës në cilësinë e dëshmitarit.

Deklarimet e Beqirit dhe Hamitit janë dhënë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku ish-deputeti i Vetëvendosjes, Driton Çaushi po akuzohet për përdorim të mjetit të rrezikshëm si dhe pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ish-deputeti Ismet Beqiri ka thënë se nuk i kujtohet rasti pasi ka kaluar një kohë e gjatë dhe ka pasur shumë seanca të tilla.

Ai ka thënë se nuk e ka parë nëse Çaushi ka hedhur gaz lotsjellës në Parlament.

“Është e vërtet që ka pasur shumë seanca, por mund të ketë qenë edhe ajo seancë, por konkretisht nuk e kam parë të akuzuarin duke hedhur gaz lotsjellës”, tha dëshmitari Beqiri.

Edhe ish-deputeti tjetër i LDK-së, Sabri Hamiti, ka thënë se nuk i kujtohet nëse e ka parë të njëjtin duke hedhur gaz lotsjellës.

Hamiti ka kërkuar që kurrë mos të ftohet më nga gjykata.

Kurse, në seancën e  së martës nuk ka prezantuar dëshmitari Adem Grabovci, për të cilin gjykatësja e rastit Lumnije Krasniqi ka thënë se ndaj të njëjtit do të lëshohet urdhër për sjelljen me detyrim.

Ndërsa, me fillim të kësaj seance është dhënë fjala hyrëse nga prokurori Blerim Igrishta, i cili ka thënë se gjykatës i ka ofruar prova të mjaftueshme me të cilat vërtetohet se i akuzuari Çaushi  është kryerës i veprave penale të përshkruara në aktakuzë.

 

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]