fbpx

Ma ke fytyrën për deputet!

nga Revista Kosovarja

Janë disa këngë që fillojnë me stilin, bie fjala, “Në mjedis ballit ma ke një pikë”, shkruan “Kosovarja”.

I shikoj në ekrane televizive dhe sa më shumë po i shoh do fytyra, po më kujtohet një i ndjerë, që sa herë pinte e bëhej tapë, gjithsecilit i thoshte se mund të bëhej gjithçka në jetë, por kurrë njeri në kuptimin e plotë të fjalës…

Ai në të ditët e para të pasluftës e kishte zënë një dhomë në hotel, në qendër të Prishtinës, dhe nuk kishte kush ta largonte… Pinte tërë natën, kurse e vazhdonte edhe ditën në zyrën e tij të punës…

Kur u thoshte të tjerëve se ti kurrë nuk mund të bëhesh njeri, njëri ia ktheu:

“Njeriu nuk duhet të jetë gjithmonë i dehur si ti! Nuk duhet të jetë i prerë në fytyrë si ti, e që je prerë kah je rruar! Duhet të jetë i urtë dhe të mos u qet hije të keqe fëmijëve, se kur të shohin kështu, të tjerët do u thonë – shih çka po bënë babai juaj!”.

E, ai ia ktheu: “Nëse unë me raki nuk bëhem tapë, rinia nuk kanë ku marrin shembull për të keq. Ata do i thonë njëri-tjetrit: Mos pi se bëhesh si filani, demek si unë! Pra, unë jam shembull i mirë për rininë. Unë u jap nasihat të rinjve të mos bëhen si unë, por të bëhen të mirë. Pra, i shërbej rinisë, fesë, mjekësisë dhe gjithë të tjerëve që më shohin”.

Për të qenë deputet duhet të jesh pak edhe dallaveraxhi!
Politikanët karrierën e nisin nga deputeti. E, si duhet të jetë deputeti, i dëgjova tek flisnin në shitoren e fshatit tim disa njerëz, teksa e komentonin se kush do i fitojë zgjedhjet dhe a kanë listat kandidatë të mirë për deputetë, a jo….

Në listën e disa partive tona, disa individë që kanë pasur dënime dhe e kanë ditur se nuk mund të bëhen deputet, i kanë futur gratë e tyre…

“Çka kërkoi ai, bre, me qenë aty?! Po këtë femër që e njoh mirë, kush e futi në listë?! Vajza e dajës tim e ka shoqe, e kjo si ka dy gram mend dhe as vetë nuk e di pse e kanë futur në listë?!”, thotë njëri nga ata që komentonin.

Tjetri thotë: “Po, ku po jeton ti, bre?! A nuk e di se për të qenë deputet, në kushtet tona, së pari, duhet të jesh njeri që di me dredhë e zhdredhë, sepse kështu e lypë interesi politik”.

E, fqinji im, i cili veç dëgjonte, më thotë: “Bash ti ma ke fytyrën për deputet! Sepse, sipas meje, për të qenë politikan i mirë, së pari, duhet të kesh pak fytyrë e jo shumë, sepse po të kesh shumë nuk mund të kesh sukses si deputet. Safet Krivaça /Kosovarja/

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]