fbpx

Majlinda Topanica: Sot kushdo bëhet këngëtar, edhe pse nuk ka lidhje me muzikë!

nga Revista Kosovarja

Majlinda Topanica është zë i mrekullueshëm që jehon prej vitesh në skenën tonë muzikore, në mbrëmje rinore, dasma e ahengje. Është këngëtarja që këndon “live”, madje dëgjohet larg e bukur edhe pa mikrofon.

Talentin e zërin ia ka falë Zoti, e dashuria për këngën i është rritur vit pas viti, bashkë me emrin e saj si këngëtare e vërtetë…

Majlindë, ju këndoni që në fëmijëri. Kur ktheheni në të kaluarën, çfarë ju vjen në mend?
– Kam shumë kujtime, por një prej më të bukurve është kur të gjithë fëmijët e lagjes mblidheshin dhe vinin për të më përcjellë teksa këndoja në koncerte dhe bërtisnin me zë të lartë: “Majlinda! Majlinda!”. Ndihesha aq e lumtur sa që më dukej se fluturoja nga gëzimi…

A të kujtohet kënga e parë që e ke kënduar dhe ndjesia që të ka dhuruar?
– Më kujtohet që shkoja në ditët e festave të shkollave dhe këndoja me çifteli. Pra, i këndoja disa këngë me radhë. E di që zëri më dridhej nga emocionet, sepse kisha përballë një publik të mrekullueshëm, që vinin për t’më parë e dëgjuar.

Kush ishte njeriu i parë që të dha zemër për të dalë në skenë dhe të mbështeti pa kursim?
– Ishte babai im i ndjerë, i cili para shumë kohësh ka qenë këngëtar, ka kënduar nëpër koncerte, por që mjaft i ri e ka ndërprerë muzikën, meqë nëna ime kishte qenë shumë xheloze.
Më ka ndihmuar në çdo mënyrë që unë t’ia dalë dhe të jem e suksesshme.

Sot shumëkush bën këngë. Dikur ka qenë më ndryshe, apo?
– Dikur gjithçka ka qenë më ndryshe, nisur nga fakti se vetëm talenti të ka hapur rrugë. Sot, kush po do po bëhet këngëtar e këngëtare.

Cila është kënga që të dha famë ose, më saktë, të bëri Majlindën që njohim sot?
– Ishte kënga “Je ka lun qysh po don vetë”. E, kjo këngë në atë kohë dëgjohej kudo në radiot e televizionet tona.

Po, kënga që e këndon më me zemër?
– Është një listë e gjatë e këngëve që i këndoj me zemër, e posaçërisht ato të këngëtarit të madh Ramadan Krasniqi.
Këngët e tij i këndoj me shpirt, sepse m’i do zemra…

Cilat këngë e ndezin publikun, atmosferën?
– Nëse flasë për në Zvicër, ku edhe jetoj, në mbrëmje rinore nëse nuk di të këndosh tallave, harroje atmosferën…
Pra, pa tallave të gjithë ulen dhe askush nuk vallëzon. Tallave ua lëvizë vetë këmbët! Është e çuditshme, a?!

Jeni këngëtare e mbrëmjeve muzikore, dasmave e ahengjeve. E keni një sezon të nxehtë?
– Po korrikun e gushtin zakonisht jam tejet e angazhuar në dasma e ahengje. Edhe sivjet po është sezon i mirë dhe produktiv dhe se çdo gjë po “ok”…

Muzika “live” është specialiteti yt. Çka mendon për këngëtarët që nuk këndojnë “live”?
– Këndoj gjithmonë “live”. Ata që nuk e bëjnë këtë gjë nuk i kam në qejf.
Sidoqoftë, sot kushdo bëhet këngëtar, edhe pse nuk i kanë dy lidhje me muzikë! E, besa, bash këta po i thonë vetit me krenari këngëtar, po bëhen shumë të famshëm!

Ke në plan ndonjë këngë a album muzikor?
– E kam në plan një këngë të re, të shoqëruar me videoklip, por që nuk dua të specifikoj kohë apo datë se kur do të jetë gati për publikim.

Meqë duetet janë në trend, a ke planifikuar ndonjë duet me dikë nga kolegët?
– I kam pasur disa duete muzikore. Tash e kam një planifikim për një duet me një këngëtar, por nuk është asgjë në fazën që do më lejonte të flisja haptazi, konkretisht. Të shohim pas sezonit…

Jeta private e Majlinda Topanicës është…?
– Nuk kam dëshirë të ndalem shumë te kjo pjesë, meqë nuk dua ta përziej jetën private me punë e biznes.
Më tepër më pëlqen të flasë për punën dhe projektet e mia muzikore…

Hobi, pasioni… Apo as për këto nuk dëshiron të flasësh?
– Për këto mund të flasë… Fitnes kam dëshirë të bëjë çdo ditë, shopingun e kam në qejf, ndërkaq muzikën në shpirt.

Kur nuk ndihesh mirë, si ia ndreq vetes disponimin?
– Kur jam keq këndoj balada. E, ato ma qetësojnë shpirtin. Pra, edhe mërzinë e kaloj me muzikë…

Me kë dhe ku do t’i kalosh pushimet e kësaj vere?
– Normalisht, me familje. Pushimet, zakonisht, i kryej para sezonit dhe më pëlqen t’i kaloj në Turqi.
E, pas sezonit kam dëshirë t’i kalojë disa ditë në bregdetin shqiptar…

Suksese dhe faleminderit për bisedë!
– Faleminderit edhe juve!

Nderim Neziri

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]