Qytetarët e Republikës së Kosovës mund të udhëtojnë tash e tutje pa vizë edhe në Malajzi, për një periudhë që nuk e tejkalon qëndrimin prej tridhjetë (30) ditësh.
Kështu ka bërë të ditur ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
“Me këtë vendim, listës së shteteve ku qytetarët e Republikës së Kosovës mund të udhëtojnë pa viza i shtohet edhe Malajzia, një dëshmi konkrete e avancimit të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë dhe forcimit të lidhjeve dypalëshe”.
“Republika e Kosovës mirëpret këtë hap pozitiv dhe shpreh mirënjohjen ndaj institucioneve malajziane për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në shërbim të qytetarëve dhe lidhjeve bilaterale gjithnjë e më të fuqishme në mes të dy vendeve tona”, është shprehur Gërvalla.