fbpx

Marrëveshja Kosovë-BE për deeskalimin, Haziri: Kurti në të gjitha krizat bëri një hap para e dy mbrapa

nga Revista Kosovarja

Qeveria e Kosovës arriti një dakordim prej katër pikash me Bashkimin Evropian për të shtensionuar situatën në veri të vendit. Ndër këto pika ishte tërheqja e 25 përqind të policisë nga ndërtesat komunale dhe përreth tyre si dhe mbështetja për mbajtjen e zgjedhjes pas verës.

Pranimin e pjesërishëm të planit të BE-së pas tensioneve dhe masave që iu aplikuan Kosovës nga SHBA e BE, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, po e sheh si politikë të ecjes një hap para e dy prapa.

Në një deklarim për Gazetën Express, Haziri tha se kjo qasje Kosovës ia dëmton imazhin dhe e prezanton paarsyeshëm si burim i krizave.

“Këta janë hapa mbrapa të kryeministrit Kurti. Ai në të gjitha krizat e shkaktuara në veri, të gjitha bllokadat, bojkoti dhe tensionet që kanë qenë si pasojë e marrëveshjeve apo arrestimeve, ka bërë një hap para e dy mbrapa. Edhe me këtë rast, u desh që Kosova të përballohet me masa ndëshkuese për t’u tërhequr mbrapa. Ky lloj plani i tërhequr i dy hapave prapa lë pasoja në imazh dhe Kosovës ia jep historinë e një vendi me kufizime dhe masa ndëshkuese për mos bashkëpunim, mos koordinim dhe jo konstruktivitet. Praktikisht, na bën burim të krizave pa asnjë lloj arsye”.

Haziri tha se këtë përfaqësim Kurti ia dha pa të drejtë “popullit më europian e që është populli i Kosovës”.

Në pikën e tretë të kësaj marrëveshje Kosovë-BE thuhet se “Kosova shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve”.

Si e sheh Haziri këtë pikë?

“Kjo nënkupton shpalljen e zgjedhjeve të reja dhe krijimin e ambientit të qëndrueshëm për zgjedhjet. Mesazhi për serbët është që të mos provojnë bojkot se dëmtohen në përfaqësim, ndërsa për qeverinë e Kosovës që të krijojë ambient të qëndrueshëm politik, pa prezencë të madhe të policisë në mënyrë që qytetarët të votojnë në mënyrë të lirë për kandidatura”.

Nënkryetari i LDK-së për kryetarët shqiptarë të komunave veriore thotë se që të gjithë u përdorën politikisht atje. Ai madje thotë së e gjithë kjo ishte “një agjendë e fshehur” e kryeministrit.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]