fbpx

Marrin vota në PDK, punojnë për Kurtin!

nga Revista Kosovarja

Se gjërat nuk janë mirë në PDK, dëshmojnë edhe shumë procese që kanë filluar para zgjedhjeve të 14 shkurtit, shkruan “Kosovarja”.

Për të parën herë në PDK, bosi i kësaj partie, Xhavit Haliti, ka votuar në anën e kundërt të partisë gjatë votimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Pastaj, deputetja më e re e legjislaturës aktuale të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Adelina Grainca, dezertoi nga PDK-ja dhe kaloi te Kurti, për t’ia bërë kuorumin presidentes.

Komentet e djeshme në medie kanë qenë në gjurmë të informacioneve se Adelina Grainca ka kaluar në “Vetëvendosje”, në këmbim të interesave personale dhe për biznese familjare, e që lidhen me ndërtimet e larta në Ferizaj.

Ndërkaq, kumtesa zyrtare e PDK-së ka evidencuar deklaratën: “Adelina Grainca ka kaluar në “Vetëvendosje për para të majme!”.

Por, pa marrë parasysh lëvizjet që kanë ndodhur, treguesi është se gjendja në PDK kurrë nuk ka qenë më e keqe.

Votimi i Xhavit Halitit, ndryshe nga partia, si dhe dezertimi i deputetes Adelina Grainca nga partia ku i mori votat për deputete, nxjerrin mbi tavolinë nevojën për ndryshime në këtë parti.

E, sa i përket Xhavit Halitit, dihet botërisht se votimin ndryshe nga partia, e ka bërë nën ndikimin e nervozës, por deklaratat e tij për këtë gjest flasin shumë për marrëdhëniet në këtë parti.

Por, krahas Xhavit Halitit, në PDK nuk është vetëm Adelina Grainca, dezertorja e PDK-së që ka tradhtuar votat elektorale, të cilat janë lypur më shumë në komunën e Lipjanit sesa në Ferizaj, nga edhe ka qenë e deleguar.

Në Gadime të Lipjanit është lypur vota shtëpi më shtëpi për Adelina Graincën, ashtu sikur kanë kërkuar edhe Elmi Reçica me disa kandidatë të preferuar nga Enver Hoxhaj.

Gjendje e keqe me kandidatët për deputetë ka qenë edhe në Lipjan, ku janë lejuar të garojnë kandidatë të komprometuar dhe pa bagazh politik.

Sepse, ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka krijuar tollovi në të gjitha degët e kësaj partie në terren, duke shkaktuar huti dhe zemërim për kandidatët e dominuar nga degët dhe vetë ai me një grup njerëzish, e që PDK-në e kanë shfrytëzuar për biznese të veta.

Janë eliminuar nga kandidatura kandidatët më të përgatitur, e që kanë peshuar në popull, që kanë pasur respekt e simpati, kurse janë lejuar të garojnë kandidatët që sot kalojnë te partitë tjera, në këmbim të interesave personale!

Sidoqoftë, në PDK-në e Hashim Thaçit e të Kadri Veselit nuk kanë ndodhur këto lojëra të pista.

Megjithatë, lëvizje të deputetëve nga një parti në tjetrën ka pasur edhe më parë, por jo edhe haptas e para kamerave në sallën e Kuvendit të Kosovës, siç po ndodhë tash.

Andaj, në PDK duhet të bëhen reforma të brendshme, e Enver Hoxhaj, si u.d. i kryetarit të PDK-së, për të gjitha dështimet që ndodhën duhet të ofrojë dorëheqje të parevokueshme.

Sepse, nuk mjaftojnë vetëm deklaratat e tij për dështimet në parti… Safet Krivaça /Kosovarja/

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]