fbpx

“Martesa” ime me një foto e kartolinë!

nga Revista Kosovarja

 

Isha në Shkollën Teknike në Ferizaj. Në pushimin e gjatë Ajo erdhi pranë meje, më shikoi gjatë në sy dhe ma shtrëngoi dorën fort…

Nuk ishte para dyzet vjetësh si sot kur të ofrohet një vajzë, sepse sytë e të gjithëve kthenin kah ti dhe gojët pëshpëritnin brenda klasës, si shushurimat e dushkut të tharë në mal.

Në çdo pushim të gjatë, ajo vinte nga klasa tjetër dhe gjente një arsye që vinte…

E, ditë pas dite në shkollë u përhap lajmi se unë kisha bërë femër, e cila ndodhej në klasën tjetër, me të cilën më ndante vetëm muri.

Nuk dija as vetë çka doja…
Nuk di nëse e doja, apo ishte më shumë ëndërr!
Nuk di nëse kishim diçka bashkë për të ardhmen, derisa akoma askujt nuk i kisha thënë të dua!
Por, as ajo nuk më kishte thënë se më donte!

Dhe, pas një kohe erdhi koha e praktikës mësimore, që vazhdonte pas përfundimit të orarit të rregullt mësimor, në objektin që njihej si “Reparti i praktikës”, ku i vishnim mantelet e kaltër.

E, teksa bëhesha gati të filloja punën, Ajo erdhi dhe më uroi ditën e parë të praktikës.

Më tha se manteli i kaltër më rrinte mirë me flokun paksa ngjyrë kafe…

E, kjo më dha të kuptoja se ajo më donte.
Ndërkaq, unë s’kisha nevojë t’i thosha se e dua, sepse isha i bindur se ajo e dinte një gjë të tillë…

Dhe, teksa i sillja në mendje këto gjëra, ma lëshoi në dorë një foto. Më tha se do takoheshim pas praktikës…

Kur e kryem orarin e praktikës, jashtë binte shi i imët. Hapi ombrellën e kuqe dhe më mori në mbrojtje nga shiu.

Mirëpo, teksa ecnim pranë njëri-tjetrit, më tha: “Jam e bindur se di të shkruash letër dashurie! Ma sill nesër një të tillë!”.

Në shtëpi tërë natën u orvata t’ia shkruaja një letër. Por, posa e përfundoja e bëja truç dhe e hidhja në shporetin ku ndizeshin drutë, sepse nuk isha i kënaqur me mënyrën e shkrimit.

E, kur u takuam, më tha:
“Hë, ku është letra?!
“Në zjarr!”, i thashë.
“Si në zjarr?!”.
“Në zjarr, sepse sado që jam munduar, nuk mund ta përfshija me fjalë atë që ndiej në shpirt për ty!”, mezi i thashë.

Kujtimi për foton në ramin prej xhami…
Ditë më vonë, foton e saj e dërgova te xhamprerësi dhe i thashë ta vente në ram xhami, të cilin që nga ajo ditë e mbaja fshehur në shtëpi, sepse do më qortonte baba po t’ma shihte.

Por, në vitin e dytë të shkollës së mesme, ndodhi e papritura. Ajo iku me familje në Gjermani…

Dhe, me atë ditë, kur nuk e pashë më, thashë me vete: “U mbyllë gjithçka nga jeta rinore!”.

Mirëpo, muaj më vonë ndodhi një e papritur. Në raftin e letrave që vinin në shkollën tonë për nxënës, ishte edhe një kartolinë në emrin tim.

Shpejt e mora, e lexova të vetmen fjali që shkruante në të: “Përshëndetje nga Hanoveri i Gjermanisë! Era”.

E lexova edhe herë të tjera dhe doja të fluturoja nga gëzimi… Por, në çast më erdhi një nervozë, e cila ma shoi aty për aty atë gëzim.

Era nuk ma kishte dërguar adresën se ku banonte, që t’ia ktheja një të tillë…

Si përfundoi gjithçka me një foto e kartolinë?!
Dhe, teksa e ruaja atë kartolinë, si dhe foton në ramin prej xhami, pas sa vitesh, një nip imi, i cili e dinte historinë time me Erën, kishte dëgjuar se Era shkonte nuse në Amerikë…

E, ky ishte grushti që më qiti nokaut dhe më s’kisha arsye të zgjohesha nga ajo kllapi që më kishte kapluar…

Por, mbrëmë, 40 vjet më vonë, në kohën që e kisha harruar qëmoti, Erën e pash në ëndërr. Ajo, me fëmijë në krah, vinte drejt meje.

E qeshura e saj ishte si e kohës së rinisë, por jo edhe fytyra e saj, sepse kishte rrudha mbi vetullat e trasha.

Dhe, kur zgjata dorën t’ia prekja flokët, brof më doli gjumi, kurse djersët ma kishin kapluar trupin.
“Hajr qoftë!”, thashë me zë të ultë, që të mos e zgjoja gruan nga gjumi… S. M. /Kosovarja/

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]