fbpx

Mbi 60 përqind e fëmijëve në Kosovë përjetojnë dhunë

nga Revista Kosovarja

Dikur në Kosovë dhuna ndaj femijëve në familje dhe në shkolla ishte një standard thuajse normal, duke u përdorur si mjet ndëshkimi dhe “edukimi”.

Gjeneratat e mëhershme, shpesh e kujtojnë dhunën e ushtruar mbi ta nga prindërit, të afërmit dhe mësuesit. Këta të fundit dhunën e kanë përdorur si mjet “pedagogjik” dhe fatkeqësisht ky mentalitet në disa vende ende është i rrënjosur thellë, shkruan “Kosovarja”.

Në të vërtetë, nuk ka asnjë gjë që mund ta arsyetoj dhunën fizike, apo psiqike ndaj fëmijëve dhe individëve pa dallim moshe, gjnie, race, feje, apo orientimi seksual. Në Kosovë, shumë shpesh raportohet për dhunë ndaj fëmijëve, e cila ndodh në shtëpi, por edhe në institucione shkollore.

Sipas Fondacionit për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara – UNICEF, si dhe organizatave të tjera që merren me të drejtat e fëmijëve, thuhet se mbi 60 për qind e fëmijëve deri në moshën 14 vjeç, kanë deklaruar se kanë pësuar dhunë psikologjike dhe fizike nga familjarët.

Në vendin tonë ka raportime edhe për raste të abuzimit me fëmijët. Koalicioni i Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë ka shprehur disa herë shqetësimin për trajtimin e rasteve kur fëmijët janë viktima të formave të ndryshme të abuzimit seksual dhe dhunës, duke u bërë thirrje institucioneve që të përgjigjen urgjentisht në raste të tilla. /Kosovarja/

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]