Nuk është e vërtetë që njeriu ndryshon me kohë. Ndryshon me zhgënjimet që merr nga jeta.
Pajtohem me njërin, i cili kishte shkruar: “E dashura mërzitje, mirë do ishte të largohesh sa më larg prej meje. Shko diku tjetër. Mjaft kohë ke ndenjur te unë, me mua, në mua…
Më ka marrë malli ta takoj gëzimin, harmoninë, lumturinë… po edhe buzëqeshjen. Më ka marrë malli të buzëqesh, të qesh me zë, me zemër…
Mësojeni fëmijët tuaj të dinë më shumë se ju, sepse janë për një kohë më tej se koha juaj.
Mësojeni ta duan ditën edhe pa diell. Edhe natën pa hënë. Mëngjesin me vranësi, me shi. Natën me vetëtimë, me stuhi…
Le ta vlerësojnë të bukurën e të mirën.
Le ta ndryshojnë të shëmtuarën e të ligën.
Mos t’i bëjnë hije arritjeve të tjetrit, por le të kërkojnë dhe ndjekin rrugën e atij që shënon suksese… Le ta marrin të mirën.
Siç thoshte i urti: Zoti kurrë s’na e mbyllë një derë pa e hapur një tjetër.
Janë ca njerëz që mbushen mend në pleqëri të thellë, atëherë kur thuajse nuk u duhet gjë. Si ai kositësi i keq, në moshë shumë të shtyrë, i cili thotë: “Ah, bash tash ia kam marrë dorën me kositë!”.
Por, a ka dorë më për kosë?
Koha ec, pahetueshëm, tinëzisht… Aq shpejt, sa vjen një ditë e do çuditesh për ikjen e shpejtë të kohës.
Dhe, atëherë do thuash: Po shpejt shkoi, iku rinia!
E, edhe më shpejt erdhi pleqëria… / gani dili