Çfarë është tallavaja?
Tallava ose Talava është një zhanër muzikor me origjinë nga komunitetet në Kosovë si dhe në Maqedoninë e Veriut dhe ka një përhapje të gjerë edhe në Shqipëri. Tallavaja përfshihet në zhanrin e gjerë pop-folk të Europës Juglindore, që përfshin Chalga nga Bullgaria, Skiladiko nga Greqia, Manele nga Rumania dhe Turbo-folk nga Serbia.
Ka pasur debat në lidhje me faktin nëse tallavaja duhet të konsiderohet rrymë muzikore. Disa kanë argumentuar se nuk gëzon konceptin e duhur për të qenë stil muzikor dhe më tepër është një improvizim i momentit. Sidoqoftë, përtej termave të ekspertëve, referuar njohurive që njerëzit kanë për muzikën në tërësi dhe çfarë ndërgjegjja popullore konsideron këngë, tallavasë përgjithësisht i referohemi si “muzikë tallava”.
Tallavaja e ka origjinën në vitet 1980 dhe 1990 në zonat shqipfolëse të rajonit të Kosovës, të krijuar nga komuniteti i pakicës etnike ashkali. Emri rrjedh nga tel o vas (romani), që do të thotë “nën dorë”, duke iu referuar kërcimit Chochek ku tunden duart.
Tallavaja është perceptuar në mënyra të ndryshme nga populli: ajo është e përhapur masivisht nëpër festa, por edhe shahet. Në mendjet e shumë njerëzve me qasje paragjykuese, origjina nga komuniteti ashkali e lidh atë me një konotacion të klasës së ulët dhe shpesh përçmohet.
Muzikanti i komunitetit rom, Bajram Kafu Kinolli, sugjeron se është racizmi ai që i dha statusin e ulët tallavasë: “Duke pasur parasysh se ishin romët, ashkalitë dhe egjiptianët ata që kultivonin më së shumti tallava dhe se ata janë në krizë sa i përket prezantimit të kulturës së tyre… disa njerëz e cilësojnë si degradim, sidomos sot kur fjala ‘tallava’ është një term i ndyrë dhe poshtërues për çdo gjë në Kosovë.”
Të mos pëlqesh këngët tallava është mëse normale dhe e kuptueshme, por t’i referohesh tallavasë për të nënkuptuar diçka poshtëruese tregon se ose njerëzit nuk janë mjaftueshëm të informuar, ose kanë një këndvështrim diskriminues.
Sidoqoftë, siç thotë Flor Mumajesi, “shanse nuk ka, s’ke nigju ti tallava.”