Ndërmarësja e njohur, Merita Pinta, është tërhequr nga detyra për shkak të, siç ka thënë ajo, të zgjerimit të biznesit të saj në Zvicër. Pronarja e firmës së njohur “ Prima Pflege», Merita Pinta, ka udhëhequr për një vit këtë asociacion ekonomik në diasporë.
Lajmin e ka bërë publik Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Zvicër përmes një njoftimi për media.
Megjithëse unë isha e kënaqur të punoj me ju dhe të punoj për Rrjetin e Bizneseve Shqiptare në Zvicër, angazhimet e shumta në biznesin tim kërkojnë që të liroj pozitën dhe të përqendrohem në punën time”, thuhet në letrën e dorëheqjes nga ndërmarrësja Pinta.
“Pavarësisht se duhet të largohesha, vlerësoj thellësisht mundësitë që më keni dhënë gjatë kohës sime si kryetare e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër. Unë jam shumë mirënjohëse për gjithë mbështetjen tuaj përgjatë kësaj rruge një vjeçare”, thotë Pinta.
Gjatë kësaj periudhe nën udhëheqjen e Merita Pintes dhe Kryesisë së Rrjetit janë krijuar raporte të mira dhe partneritet me autoritetet në Kosovë dhe Zvicër.
Rrjeti kishte zgjeruar anëtarësinë duke lobuar te bizneset e tjera. Tashmë janë ngritur urat lidhëse të komunikimit dhe bashkëpunimit mes bizneseve në Zvicër.
Ndërsa Fehmi Fetahi, presidenti i Bordit të Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Zvicër, ka lavdëruar punën njëvjeçare të zonjës Merita Pinta dhe ka vlerësuar se roli i saj gjatë kësaj kohe ka qenë i rëndësishëm për fuqizimin e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër.
Edhe anëtarët e kryesisë kanë falënderuar zonjën Merita Pinta për punën dhe angazhimin e deritanishëm në krye të Rrjetit të Afaristëve Shqiptarë në Zvicër.