Pas fitores së bashkëshortit të saj Melania Trump iu drejtua amerikanëve përmes një mesazhi në rrjetet sociale.
“Shumica e amerikanëve na kanë besuar këtë përgjegjësi të rëndësishme”, ka shkruar zonja Trump.
“Ne do të ruajmë zemrën e republikës – lirinë,” u zotua ajo dhe u kërkoi amerikanëve të lënë ndasitë për hir të së mirës së përbashkët. Ishte një mesazh i shkurtër, por nënkuptoi një ndryshim në mënyrën se si ish-zonja e parë do t’i qaset rolit të saj për herë të dytë.
Kur Trump fitoi presidencën e tij të parë në vitin 2016, bashkëshortja e tij Melania Trump fillimisht mungonte në Shtëpinë e Bardhë. Ajo qëndronte në Nju Jork me djalin e tyre të vogël. Melania nuk ishte një Zonjë e Parë tradicionale. Ajo ishte shumë e rezervuar. E përshkruar nga disa si një “enigmë”, zonja Trump ka preferuar të jetë më pak publike se paraardhësit e saj, duke mbajtur më pak fjalime si në Shtëpinë e Bardhë ashtu edhe gjatë fushatës.
“Ajo ka qenë unike midis zonjave të para moderne,” tha Tammy Vigil, një profesore e asociuar e komunikimit në Universitetin e Bostonit dhe autore e një libri për Michelle Obama dhe Melania Trump.
“Ajo i bën gjërat ashtu siç dëshiron t’i bëjë, në krahasim me mënyrën se si duhet t’i bëjë ato.”