fbpx

Milazim Krasniqi: Dy poezi

nga Revista Kosovarja

POEZIA ËSHTË KRIJESË NAIVE
Poezia është një krijesë naive.
S’merr vesh nga vetja,
as e di ku e shkruajnë,
as ku e deklamojnë
ata që nuk e meritojnë.
Poezia është një krijesë naive,
po s’u kyq në gëzhojë, si kërmill,
deri sa ata të përhanshmit
që i thonë vetes poet,
të vijnë sërish në vete
nga abuzimi i misionit të vet.

MINAREJA E XHAMISË FATIH
Nga cila gurore janë nxjerrë,
nga cilat duar janë renduar aty,
këta gurë, si të pikur nga qielli.
Me ngjyrë të përftuar nga shekujt
që kanë ecur lirshëm faqeve të tyre
si nëpër një kalldrëm të sheshtë,
ndonëse kanë ikur pa u kuptuar
duke lënë vetëm ngjyrën e vet mbi gur,
për lumturinë tonë të kësobotshme,
për shpëtimin tonë të përjetshëm.
A e kemi kuptuar mirë a jo
që këta nuk janë gur, po janë si yjet
që na bëjnë dritë, deri sa të shuhemi?

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]