Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas intervistimit nga Prokuroria Speciale e Kosovës është prononcuar për media, duke akuzuar këtë institucion se po tenton të pengojë punën e saj.
Ajo tha se u intervistua dje dhe sot dhe se rasti i parë për të cilin është intervistuar ka qenë “me përpjekjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve për takime, për favore etj”.
“Siç e dini me urdhër të Prokurorisë Speciale, dje dhe sot jam intervistuar në një rast që ka të bëjë me një deklaratë timen që nuk e kam thënë për herë të parë, ka kohë që unë kam deklaruar asisoj që ndërlidhet me përpjekjet e prokurorëve dhe gjyqtarëve për takime, për favore etj, etj. me ç’rast kam shpjeguar se ne si Qeveri nuk funksionojmë si në të kaluarën, por që ne e kemi obligim t’i adresojmë reformat në drejtësi për të cilat ju tashmë e dini se po punojmë në vazhdimësi. Dhe duket se dikujt po i pengon dhe siç duket Prokuroria Speciale po tenton të më pengojë në punën time me ç’rast e keni parë që në vazhdimësi çdo deklaratë që unë e kam dhënë, ata menjëherë kanë autorizim policinë për ta marrë deklaratën time si dëshmitare”.
Ajo tha se ka shprehur “fenomenin që ekziston” dhe se ka përmendur emra.
“Kam shpjeguar dy raste me të cilën jam përballë si ministre e Drejtësisë, por nuk do të flas. Kam përmendur emra të përveçëm”.
Rasti i dytë, ajo thotë se ishte postimi i saj në Facebook për qëllimet e Serbisë për të akuzuar Kosovën për rastin e vrasjes së policit në Serbi nga një shtetas i Kosovës.
“Reagimi im nuk vjen si një deklarim i mendimi personal, por pas takimeve të shumta që i kemi pasë sidomos pas largimit të Faton Hajrizit në Smrekonicë. Pas këtij rasti, kemi mbledhur edhe policinë dhe institucionet e inteligjencës”.
Ajo tha se Prokuroria “zgjohet” vetëm pas reagimit të saj, ndërsa shtoi se ajo është dashur të jetë vigjilente për qëllimet e Serbisë në Kosovë.
“Prokuroria rri më shumë ne profile të mia në rrjete sociale sesa që merret me punë me përgjegjësitë që ka. Është për t’u duartrokitur që më përcjellin edhe në debate televizive”.
Ajo ka thënë se më e udhës ka qenë e që Prokuroria “të më ftoj si bashkëpunim.”
“Përpjekjet e tyre tregojnë shumë për qasjen që kanë, por edhe motivet që mund të kenë. Të tjerat s’po i paragjykoj njëherë. Njëra nga pyetjet që më është parashtruar: çka ke menduar ti me ndikimin e Serbisë me burgjet e Kosovës? Mund të hyni në Facebook nëse kam përmendur ndikimin e Serbisë në burgjet e Kosovës. Kjo nuk qëndron, këtë e ka thënë PDK dhe ca analistë, që qëllimshëm kanë keqinformuar opinionin”./Express