fbpx

Në seancë të mbyllur, dëshmon dëshmitari i 125-të në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

nga Revista Kosovarja

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 125-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), i cili mban kodin W04419 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Dëshmitari është i pranishëm përmes video-lidhjes dhe po dëshmon me masa mbrojtëse. Ai është duke dëshmuar në seancë të mbyllur për publikun me arsyetimin e ruajtjes së identitetit dhe sigurisë së tij, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Edhe katër të akuzuarit janë të pranishëm përmes video-lidhjes pasi sipas kryetarit të trupit gjykues Charles Smith III, ata kanë bërë kërkesë që të heqin dorë për sot nga pjesëmarrja në mënyrë fizike në seancë.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]