fbpx

Ngrohë shtëpinë me kunja të varreve!

nga Revista Kosovarja

Më ka rënë të dëgjoj e shoh shumëçka, ama pamje më të rëndë seç kam parë në Lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë, të dielën që e lamë pas, nuk më ka rëndë të shoh…

Teksa paradite kthehesha nga varrezat e Prishtinës, afër shtëpisë-shkollë të Herticëve, në Lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë, një burrë rreth të 60-ave, ishte ulur ngaluc pranë një kolice, të cilën e kishte mbushur spicë me kunja të varreve.

Edhe nga larg mund t’i lexosh emrat e të vdekurve, datat e lindjeve dhe të vdekjeve…
Në çast e ndala veturën. E shikova me keqardhje, me dhembje në shpirt…
Ishte mëngjesi i parë i sivjetmë, e që temperatura veç zbriti në minus 2, e tymin e cigares që e thithte pa pushim, të ftohtit ia shpërndante përtokë.
Eh, thashë me vete, edhe këtë gjë e pashë me sytë e mi…

Kam qenë e ku nuk kam qenë në cilësinë e gazetarit: nga Prishtina në Oslo të Norvegjisë; nga Prishtina në Artë e Prevezë të Greqisë; nga Prishtina në Bafër e Samsun të Turqisë, atje ku pjesa dërmuese e popullatës janë shqiptarë, e që në Anadoll kam parë skamje e varfëri të paskajshme; nga Prishtina në Shqipërinë e vitit 1990, kohë kur çdo gjë ishte e shkatërruar, por skamjen e mjerimin më të madh e kemi ne, në Kosovë.
Sepse, a ka më skamje se ta kalosh dimrin me kunja të varreve?!

E, sa herë që në shporet shti dru, shti kunja me emra të njerëzve të vdekur, do trishtohen gruaja, fëmijët dhe të tjerët që jetojnë aty!
Nuk di si ta arsyetoj veprimin e tij, por edhe ai burrë, pa pasur një arsye të fortë, nuk do i kishte mbledhur kunjat e varreve e t’i dërgonte në shtëpi!

Isa ILAZI

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]