Se, populli i ka punët ngushtë, e dëshmon më së miri rasti i Musli Zeqirit, nga “Kodra e Trimave” në Prishtinë, i cili, pas 32 vjet punë, ditë më parë i mbushi 65 vjet dhe për ditëlindjen e tij shteti ynë e qerasi me largim nga puna!
“Nga 480 euro, sa i merrja në KEK, zbrita në 100 euro! Jam i vetmi bartës i familjes 8 anëtarësh. Gjashtë fëmijë, tre prej të cilëve në shkollë të mesme dhe tre në fillore. Edhe gruaja është e papunë. E kisha një kredi që e kam marrë për me e rregulluar pak shtëpinë, e mu për këtë edhe i bëra kërkesë KEK-ut të ma vazhdoj kontratën, bile derisa ta barazoj kredinë. Më thanë se ligji nuk lejon. E, pse mua ligji më detyroi të shkoj në pension kur pensioni nuk të siguron ekzistencë?
Do të detyrohen të gjashtë fëmijët e mi ta ndërprenë shkollimin, sepse me 100 euro nuk do të kenë as bukë të hanë, e lëre më të shkollohen, të vishen e të mbathen. Andaj, të gjitha rrugët, dyert e shpresat e familjes sime u mbyllën…
Ku, kah t’ia mbaj? Si do të jetoj? A jetohet kështu?
Pata rastin ta shoh një politikan në televizor, duke thënë: “Populli është i kënaqur”.
A thua, për cilin popull e pat fjalën?
Ku jeton ai, ore?! ( Gani Dili )
83