fbpx

Një poezi nga Avni Dehari, babai i Arbnorit dhe Astritit

nga Revista Kosovarja

PESHA E DHEMBJES

(Bijve të mi, që humbën jetën
në rrethana të errëta:
Arbënori më 2014 dhe
Astriti më 2016)

Atdheu dhe alfabeti
Kurorë nderi vunë shkronjën A.
Për hapat drejt agimeve të purpurta,
A-ja brerore edhe në emrat Tuaj!

E rëndë dhembja,
Sa pesha e Alpeve Shqiptare,
Sa dheu i gjakut tonë!

I thellë hidhërimi,
Sa thellësia e Adriatikut,
E Jonit valëshumë,
E oqeanit pa fund!

Krahëhapur bujaria,
Si fushat e gjera,
Si rrafshnaltat e bjeshkëve,
Si shqiponja jonë e shenjtë
Në qiellin e paanë!

Hijerëndë trimëria,
Si pyjet e dendura!
Si Moti i Madh
Në oqeanin e kujtesës sonë!

E lartë krenaria,
Sa kreshtat e Sharrit,
Sa kupa e qiellit mbi tonin Atdhe!

Det i trazuar pikëllimi,
Përplot valë ngushëlluese, përplot valë freskie
Cep më cep zemërdhembshurës sonë,
Për Ju që hodhët hapin
Me shkronjën e parë të ATDHEUT!

AVNI DEHARI

Prishtinë, 11. 9. 2019

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]