Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një serbi për krime lufte ndaj popullatës civile.
I ndaluari është Z.A.. Ai dyshohet se me pjesëtarë tjerë të ushtrisë serbe kanë ndaluar e mal tretuar njerëz.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit me inicialet Z.A. i nacionalitetit serb. Prokuroria Speciale njofton se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri Z.A, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë serbe, i uniformuar me uniformë të policisë serbe dhe i armatosur, e kishte ndaluar në qendër të qytetit të Kamenicës të dëmtuarin B.M. duke e torturuar në mënyrë ç‘njerëzore, maltretuar dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, traumë dhe pasoja në shëndet, si dhe, duke e kanosur seriozisht për jetë për një orë e gjysmë, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë”, thuhet në njoftim.
Z.A., po ashtu dyshohet se ka marrë pjesë në shpërnguljen dhe dëbimin me dhunë të qytetarëve në Kamenicë.