fbpx

Opsioni i Nagavcit për tekstet shkollore nuk po përkrahet, po shihet si dështim

nga Revista Kosovarja

Ministrja Nagavci dje dha lajmin se po shqyrtojnë mundësinë që tekstet shkollore t’i blejnë prindërit, e më pas ata të rimbursohen nga shteti, duke u arsyetuar se çmimi i ofertuar nga shtëpitë botuese ka qenë i papërballueshëm. Për këtë çështje, kanë reaguar partitë opozitare, analistë dhe njohës të arsimit, të cilët këtë e kanë parë si dështim të MASHTI’t.

Viteve paraprake, MASHTI i blente librat shkollorë dhe i shpërndante nëpër shkolla, ku më pas i merrnin nxënësit. Mirëpo, këtë vit, nuk do të ndodh kështu.

Dje në një konferencë për media, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci bashkë më zëvendësministrin Taulant Kelmendi, dhanë detaje rreth një opsioni që thanë se po e shqyrtojnë lidhur me sigurimin e teksteve shkollore për klasët nga e para deri te e pesta.

Nagavci tha se opsioni ka të bëjë që paratë për tekstet shkollore t’u barten prindërve nëpër llogaritë bankare dhe ata t’i blejnë. Ajo tha se kjo do të bëhet përmes platformës e- Kosova.

“Sivjet jemi duke e shqyrtuar mundësinë që transferimi i mjeteve për sigurimin e teksteve shkollore sipas obligimit ligjor të MASHTI’t të bëhet në llogaritë e prindërve dhe të njëjtit t’i blejnë tekstet për fmëijët e tyre. Shumë shpejt brenda dy tri ditëve do të vendoset për këtë rrugë që po e shqyrtojmë. Paralelisht kemi përgatitur edhe platformën për aplikim në platformën e-Kosova me të githa detajet tjera dhe kemi shqyrtuar të gjitha mundësitë që në njërën anë të kemi tekste cilësore për fëmijët dhe kujdes për buxhetin e shtetit”, tha ajo.

Kjo u bë me arsyetimin se shtëpitë botuese nuk i kanë zbritur çmimet. Zëvendësi i Nagavcit, Taulant Kelmendi, deklaroi se nuk kanë hasur në mirëkuptimin e shtëpive botuese.

“Pas shumë tentimeve për të zbritur çmimet në nivelin e përballueshëm për buxhetin e ndarë shtëpitë botuese nuk e kanë pasur mirëkuptimin. Madje së fundmi kanë dërguar letra se çmimet e tyre janë të panegociueshme mëtutje. Kjo situatë dhe kjo gjendje e krijuar është e papërballueshme për MASHTI-n dhe për buuxhetin e shtetit. Ne nuk mund të kalojmë asnjë skemë të keq shfrytëzimit të taksave të qytetarëve tanë. Kjo është edhe më e ndjeshme kur flitet për tekste shkollore”, u shpreh Kelmendi.

Pas këtyre deklaratave ka reaguar shtëpia botuese “Dukagjini”, duke thënë se kanë ofertuar me çmim më të llirë për 4 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

“Shtëpia jonë botuese, për hir të transparencës, dëshiron ta njoftojë opinionin publik se në ofertimin që kemi bërë në Ministri, pavarësisht inflacionit dhe rritjes globale të çmimeve, ne kemi ofertuar me çmim më të lirë për rreth 4% krahasuar me vitin 2022. Megjithkëtë, shtëpia botuese “Dukagjini” do ta bëjë maksimumin që t`i përmbushë obligimet që dalin nga legjislacioni në fuqi”, thuhet në reagim.

Ndërkaq, shtëpia botuese “Luarasi” ka thënë se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci gënjeu për çmimet e librave dhe se lista e teksteve të përzgjedhura nga shkollat është publike. Ata thanë se do ta padisin atë për shpifje.

“Dështimi i plotë në procesin e furnizimit të nxënësve me tekste shkollore ka vetëm një emër dhe ai është ministrja Nagavci me kabinetin e saj. Për ta mbuluar këtë dështim shpalli një ide që procesin e degradon në anarki dhe u shërbye me gënjeshtra. Dy gënjeshtrat që më së lehti janë të provueshme janë: gënjeshtra për çmimet e Shtëpisë Botuese “Luarasi” dhe gënjeshtra se lista e teksteve të përzgjedhura nga shkollat është publike”, thuhet në reagimin e shtëpisë botuese.

“E dyta, përrallat për çmimet e viteve të kaluara nuk mund ta mbulojnë dështimin e ministres Nagavci në procesin e këtij viti”, thuhet në reagim.

Por për këtë vendim të së parës së Arsimit ka pasur shumë reagime nga partitë opozitare, analistë e njohës të arsimit.

Drejtorët e Arsimit nga radhët e PDK-së në nivel komunal, kanë mbajtur sot një konfernecë për media në të cilën kanë shprehur pakënaqësinë e madhe me propozimin e fundit të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci në lidhje me furnizimet me tekstet shkollore për nxënës.

Besianë Musmurati, Drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës, ka thënë se mbi 300 mijë familje kosovare do të detyrohen t’i blejnë librat për fëmijët e tyre – “të pasigurt nëse ndonjëherë do t’u rimbursohen ato të holla, apo nëse ato do të jenë të mjaftueshme për të blerë librat”.

“Në vend se Qeveria t’a zvogëlojë barrën financiare të shkollimit të fëmijëve prindërve kosovarë, ajo po kontribuon që të dëmtohen financiarisht edhe prindërit, po edhe vetë buxheti i shtetit. Ministria e Arsimit po përpiqet që dështimin e tyre për furnizim të nxënësve me libra ta mbulojë me arsyetime e improvizime”, ka thënë Musmurati.

Ajo ka thënë se nga ky veprim i Ministrisë, do të ketë të paktën tri pasoja të mëdha të cilat do t’i vuajnë nxënësit dhe prindërit: “E para, vendimi i ministres Nagavci do të prodhojë vonesa dhe mësimi do të fillojë pa tekste shkollore. Së dyti, ky vendim i Qeverisë Kurti do të prodhojë humbje efektive të mësimit. Së treti, do të ketë shpenzime edhe më të larta për prindërit dhe vetë shtetin e Kosovës”, ka thënë Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës”.

Konferencë për media për këtë çështje ka thirrë edhe LDK. Kryetarja e Forumit të Gruas, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se LDK-ja kërkon që Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, të dorëhiqet pas situatës së fundit të krijuar me tekstet shkollore.

Ajo tha se LDK-ja e do dorëheqjen e Nagavcit edhe për shkeljet sistematike të ligjeve, Kushtetutës dhe anarkisë së krijuar në arsim, dhe se siç tha ajo është hera e parë që fëmijët po mbesin pa tekste shkollore.

“Një ministre dhe një qeveri e tillë është e dëmshme për Kosovën, prandaj ikja e saj do të duhej të bëhej menjëherë. Sigurimi i teksteve shkollore dhe shpërndarja e tyre falas për nxënësit e nivelit të parë dhe të dytë është e paraparë me ligjin në fuqi, më saktë me Ligjin për Arsimin Parauniversitar. Përveç paaftësisë së qeverisë për menaxhimin e kësaj situate, kjo qeveri me këtë vendim i ka ikur përgjegjësisë duke i ngarkuar prindërit dhe duke shkelur ligjin në fuqi”, tha Lushaku-Sadriu.

Ndërsa, kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Besnik Dragusha, tha se menjëherë kanë filluar ankesat dhe shqetësimet e prindërve, për shkak se kjo e “vështirëson situatën financiare”.

Këshilli i Prindërve i ka bërë thirrje Ministrisë së Arsimit, që tekstet shkollore t’i shpërndaj si në të kaluarën e të mos e përdor metodën e re, të blerjes së librave nga prindërit e pastaj të ndodh rimbursimi nga shteti.

Nënkryetarin e këshillit të prindërve, Visar Islami në emisionin “Magazintha se nëse jetësohet ideja e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, do të ketë shumë probleme.

“Ajo nuk është vendim por është ide, ne si Këshill mendojmë tjetër diçka dhe jo rimbursim që ta na shfaqë probleme. Do të jenë çmimet varet nga prodhuesit, çmime të ndryshme, ministria ka pas mundësi me i siguru tekstet, dhe metoda e kaluar ka qenë e mirë”, tha ai.

Islami kërkoi nga Ministria e Arsimit të gjejë zgjidhje sa më shpejt dhe librat të shpërndahen si çdo vit.

Ndërsa, ish-drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jusuf Thaçi dje ka shtruar pyetjen se si është më lirë që të blihen librat nga prindërit, me pakicë, se sa të blihen nga shteti me shumicë.

Tutje ai ka renditur disa arsye që çojnë në kosto më të madhe, nëse librat blihen nga prindërit: Rrjeti i distribuimit e përfshinë shtesë fitimin e vet në çmim (sepse askush nuk punon pa fitim); Qindra-mijëra prindër duhet të harxhojnë kohë e pare për transport (sepse nuk iu vijnë librat as në shtëpi e as në shkollë); Qindra-mijëra transaksione duhet të ekzekutohen nga shteti për rimbursimin e prindërve. Secili transaksion duhet të konfirmohet para se të ekzekutohet. Kjo kërkon shumë resurse njerëzore e teknologjike. Shtesë kësaj, shpresoj të mos ketë edhe “transaction fee”, sepse kjo do të rezultonte me qindra-mijëra euro humbje shtesë, ose për shtetin ose për prindërit; Mësimdhënësit do të bombardohen nga prindërit me pyetje, sepse për të njëjtën lëndë dhe klasë mund të ketë disa tekste shkollore të miratuara, e prindërit nuk e dinë cili tekst do të përdoret për fëmijët e tyre. Veç kësaj, një pjesë e madhe e prindërve nuk do t’ua blejnë me kohë tekstet nxënësve. Kjo do të rezultojë me qindra-mijëra orë mësimore të humbura (efektivisht).

Viti shkollor 2023/2024, tashmë është konfirmuar që do të nisë më 1 shtator, mirëpo ka skepticizëm që nxënësit do të pajisen me libra deri atëherë.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]