fbpx

Osmani për marrëveshjen Kosovë-Shqipëri-Kroaci: Kanë përfunduar kohërat që Serbia pyetet…

nga Revista Kosovarja

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia më 18 mars kanë nënshkruar një deklaratë në Tiranë, përmes së cilës vendet angazhohen që të forcojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Ky bashkëpunim ngjalli reagime të shumta, kështu duke u përfshirë në këtë mes edhe Serbia, që e cilësoi si “provokim të hapur” drejtuar Beogradit.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u shpreh i shqetësuar lidhur me këtë aleancë të re në fushën e mbrojtjes, kurse kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, reagoi duke theksuar se Kroacia nuk ka nevojë të konsultohet me askënd për këtë çështje, as me Serbinë.

Ndërsa, lidhur me këtë çështje, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se marrëveshja trepalëshe synon pikërisht këtë, që t’i ndihmojnë njëra-tjetrës për t’i ngritur kapacitetet e mbrojtjes, pra për ta mbrojtur vetveten dhe asnjëherë për ta sulmuar dikë.

Po ashtu, presidentja e Kosovës theksoi se periudha kur Serbia mund të pyetet për çfarëdo çështje ka përfunduar.

“…Serbia tani del me propagandë që gjoja është shkel një marrëveshje e vitit 1966 po kushdo që e lexon atë marrëveshje e vëren një gjë, që Serbia po e bën atë që e ka bërë gjithmonë, po gënjen. Nuk ka asnjë të vërtetë në atë që e kanë thënë dhe se nuk ka asnjë rrezik për të, por përkundrazi…. Ekziston vetëm një burim destabiliteti në rajonin tonë dhe kjo është Serbia. Për këtë pajtohet i gjithë rajoni… Por, kanë përfunduar njëherë e përgjithmonë kohët që Serbia pyetet për çkado qoftë. Ne jemi shtet sovran, i pavarur vendimet i marrim vetë në përputhje me interesant e Kosovës, dhe gjithnjë duke pasur synimin paqen dhe stabilitetin rajonal, që rrezikohet vetëm nga Serbia”, u shpreh e para e shtetit.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]