fbpx

Për jetën e Teki Dervishit, familjarët e tij rrëfejnë detaje rrënqethse, të tmershme …

nga Revista Kosovarja

Tregimi i Teki Dervishit rrëfehet nga bashkëshortja dhe familjarët e tij të afërt. Ai kishte qenë i vetëdijshëm për diskriminimin qysh në shkollë fillore, kur sipas kujtimeve të tyre për atë që ju kish treguar ai, nuk ishte pajtuar me faktin që në shkollë kishte fëmijë nga fshatrat që keqtrajtoheshin për shkak se ishin të varfër.

Tekiu kishte qenë lexues i përkushtuar dhe një herë ishte arrestuar pikërisht për shkak se i ishin gjetur libra nga Shqipëria në kohën kur kjo gjë ishte e ndaluar. Qëndrimet e tij politike i shkaktuan shumë mundime atij dhe familjes së tij, fillimisht nuk e pranonin askund për punë dhe kur e pranonin, sapo i kuptonin qëndrimet e tij, detyroheshin ta përjashtonin. Teki Dervishi u dërgua në Goli Otok në vitin 1965. Kujtimet e tmerrit që kishte përjetuar atje, sipas Bahrijes, Norës dhe Metushit, ai gjithmonë i rrëfente me një dozë karizme e humori.

Pjesa e mëposhtme është përshtatur nga rrëfimet e Bahrije Berishës, Nora Kajës dhe Metush Kajës.

Teki Dervishi ka lindë më 1 janar të vitit 1943. Në shkollë fillore është kanë në Gjakovë po gjithë ka qenë i revoltum, i rebelum se thojke, “Na keqtrajtojshin shumë,” thojke, “varfni e madhe ka qenë,” thojke, “ka pasë fëmijë të katunit që as me hangër mirë s’kanë hangër”. As Tekia s’ka pasë po ata ma hiç, edhe, “Na keqtrajtojshin në shkollë,” thojke.

Ky kur u shku në të tetën klasë ka dashtë me ikë se kish pasë thanë, “Unë këtu nuk shkoj ma në shkollë, në Kosovë!” Po kur u shku në atë fshat, me nji fshat natën i kanë thanë, “Rri ti këtu se në mëngjes vazhdon”. Po në tjetrën anë e kanë lajmëru policinë, janë ardhë e kanë marrë e kanë shti në burg, gjithë verën u kanë në burg e vëllau i vet, nana e vet tuj i zi kompira tu ja çu tinëz për vëlla me hangër se… masnej s’e kanë pranu në shkollë se edhe çertifikatën e ka shky e kanë marrë si me zor diqysh… Qat’ vit e ka hupë masnej e kanë pranu në gjimnaz po dy vjet e kanë përjashtu se libra i kanë gjetë, libra atëhere u kanë e ndalume, asnji libër e Shqipnisë nuk ka guxu… edhe masnej u çu u shku në Pejë, atje e kanë pranu.

Goli Otoku / Rrëfimi i Sabri Novosellës: “Ishulli lakuriq”
U shku vitin e tretë e masi e ka kry vitin e tretë e kanë burgosë. Tekia ka qenë nxanës i mirë në gjuhë, a këto matematikë e këto hiç s’i ka dashtë, a gjuhë po! Ka shkru Tekia krejt kohën në gjimnaz. Tekia thotë, “Kur kom qenë në vitin e tretë në gjimnaz në Pejë edhe maturantave ju kanë japë punimet edhe shkrimet e Tekisë në gjimnaz. Ky në të tretën atyne në të katërtën se shumë ka botu atëherë edhe masi është burgosë masnej… Si fëmijë në të gjashtën klasë thojke nana e vet, “Në tavan e ka ba e ka shti rrymën e pastrojke e majke libra, revista i palojke aty, prej shkollës hypke naltë lexojke qaty veç hajke bukë e hypke!”

Po vazhdimisht ka qenë i orientum kah letërsia, po që ja kanë prishë masnej, shpesh ja kanë ndalu me botu… S’e kanë pranu në punë, edhe kur e pranojshin ndodhke punojke dy muj, kur vike i merzitun menjiherë e disha që e kanë qitë. Masnej 11 muj ka nejtë në çeli të Pejës, “11 muj,” thojke, “më ka marrë në hetime nji shka”. Mas 11 mujve i kanë gjyku në Pejë. Kur u dalë në gjyq ju kanë thanë ata, “Vetni a i kemi rrehë?” Tekia ka thanë, “E paskna nanën e babën në sallë po më vjen gjynah me folë prej tyne po qe trupi ju kallxon, s’kom nevojë me ju kallxu a më kanë rrehë a jo!” Se veç asht e lëkurë u kanë, baba i vet… Kur janë shku nji herë me pa 25 killa i ka pasë, sa as baba i vet s’e ka njoftë, dhomtë komplet të thym.

Në burgun e Pejës 11 muaj vetmi aty masnej kur i kanë gjyku me i çu në Goli Otok… E! Tekia u burgosë në vitin… cilin vit ka qenë që i ka marrë flamujt me shqiponjë janë kanë edhe me yll… U hi në bodrum me gjilpanë krejt yjet i ka shkepë mos me pasë yll, qata flamuj i ka qitë në Gjakovë e menjiherë e kanë… Nana e vet thojke, “U hi në bodrum me gjilpanë kadal-dalë i ka shkepë!” Qiky ka qenë shkasi që e kanë burgosë…U burgosë në ’64-tën e vitin tjetër u shku në Goli Otok, jo menjiherë.

Në Pejë, ai hetuesi i ka thanë… Se Tekia s’kish pasë folë hiç, ai përditë e ka marrë në hetime masnej i ka thanë, “Qy bre djalë lum baba që të paska, ma shumë nuk muj! Me pasë nji djalë si ti s’kisha deshtë ma shumë! Zoti ta dhashtë të marën edhe ditën e mirë, shko…” Se s’ka pranu kurrë, s’ka folë me kanë është e… Kur e kanë çu në Goli Otok, thojke, “Të burgosunit për mos m’i torturu e me ju ikë torturave e prejshin barkun e vet ose kamën, zorrtë,” tha, “i kapke, kamën e prejke këtu…” Edhe thojke, “Çdo mëngjes na bojshin si ushtarë edhe thojshin, “Kush po don me shku te mjeku?” Tha, “Unë gjithë e kom çu gishtin!’ Thojshin, ‘Për ty e dijmë ti hiç mos u lodh, tjertë kush po doni me shku, veç shkojshim,’ thojke, ‘sa me hupë gjysë ore se u dashke me shku në punë, puna e zorshme’”.

Ai ka punu, ka ba mermer… në ujë deri te gjoksi, me i ba ato çka kanë ba, pllaka e… Thojke masnej, “M’u bojke trupi varrë prej krypës, aty s’ke pasë ku m’u la,” e qështu, me hjekë ka hjekë boll. Verës i kanë lanë në pantolla të gjatë e dimrit, “Të shkurtë,” tha, “na jipshin, aty çfarë të ftohti veç Zoti e din,” thojke, “as derë as dritare e me ka nji qebe jena mlu,” thojke.

Opinion / Rrëfimi i Pajazit Jasharit: “A përmbyset a fillon nji rrugë e re nuk e di…”
Tekia deri u dekë i ka urrejtë qebet edhe hapësinat e vogla. Për shembull në sobë të vogël s’ka mujtë me flejtë kurrë se qeben prej burgut e urrejke veç me ksi… Baba i vet dy herë u shku me pa në Goli Otok me abën, me Bulën edhe me motrën u shku, “Nji javë,” tha, “deri shkumë… Edhe shkumë,” tha, “aty nji javë, nji herë me tren masnej me anije mrrim aty. Pesë minuta,” tha, “s’na kanë lanë ma shumë hiç veç sa me e pa!” Edhe janë kthy, baba i vet u kanë punëtor, munesh me marrë me mend sa u dashtë me kursy me shku e dy herë ishin kanë, e kanë pa në gjendje të mjerushme! S’e kanë njoftë!

Në Goli Otok i kanë përzi të burgosnit si politikë, si kriminelë edhe është shumë vështirë me qëndru në kësi lloj situate, kësi lloj burgu. Qysh thashë, Tekia gjithë ka lypë me shku te mjeku, “E dijmë,” tha, “ma bojshin. Shkova nji ditë,” tha, “tu pritë në rend te mjeku kush po del, ‘gjashtë muj m’i dha pushim,’” a din në burg gjashtë muj me t’i dhanë pushim! “Tre muj, dy muj, pesë muj… Kur hina unë,” tha Tekia, “po më thotë për çka po përgjigjesh?” A din me nene e kanë pasë… “Ti edhe politika, hajt dil përjashta, asnji ditë, hajt,” tha, “u mërzita pse veç mu ma bani ashtu mjeku. Kur s’u shku,” tha, “nja gjysë ore p’e shoh ata me mantill të bardhë,” tha, “ai shqiptar i Ferizajit, s’është kanë mjeku po e ka shfrytëzu rastin”.

E ka njoftë Tekinë, i ka thanë, “S’ka pushim për ty, hajt hajt dil përjashta!” I tregojke Tekia do raste që ishin me keshë, se shumë vështirë i ka ardhë me folë për burg, shumë, shumë vështirë i ka ardhë. Nuk t’ka tregu kështu gjana të këqija, po veç çaste të humorit… Nuk të ka mërzitë kurrë me thanë, “Qështu ma kanë ba…” Kurrë! Veç baba e nana e vet që kanë tregu qysh e kanë pa, se ai vetë jo. Për gjyshin e tij Ademin thuhet që ka plasë prej zemrës masi e ka pa…

Tekia ka qenë 25 killa kur e ka pa, krejt dhomtë e thymë, komplet! 18 vjeç, paramendo! Krejt të thymë, e qysh mos me të lëshu zemra aty! Unë ju kallxova këtyne që kom punu në katun, jom shku te mjeku në Klinë edhe me nanën e Tekisë tuj ecë e pata përkrahi qështu tuj ecë ajo u rrëzu, nana e Tekisë, ngajtën njerëzit qiten ujë e deri u kfill, po i thamë, “Çka pate oj aba, pashë zote pse?” Tha, “Qy burgu ku u kanë Tekia!” Veç që e pa i ra të fiktë se unë s’e kom ditë burgun, qaty e pashë burgun ku ka qenë Tekia. Në Goli Otok ja kanë dhanë dy vjet po falë Kongresit të Brioneve, i kanë liru disa e i ka majtë nashta nji vjet e gjysë.

Ai thojke, “Kur e kom ni zanin aty, më ka ardhë çudi…” Kallxojke që gjatë kohës në burg i kanë ndihmu shoktë shumë. Thojke, “Kaniherë më mbulojshin, e hisha në dollap lexojsha”. Edhe për cigare, se kanë pasë të drejtë pesë kille paketë, tha, “Edhe shoktë që s’e pishin, lypshin duhan për mu e ma jepshin”. Krejt i kanë ndihmu shumë se u kanë ma i riu edhe ma i dobëti fizikisht… U kanë shumë, shumë i dobët… Pjesa e mëposhtme është përshtatur nga rrëfimi i Bahrije Berishës Mbas burgut, nejtëm ni vjet në studime. U mbyll konvikti, edhe po thotë ai, “A po vjen në Gjakovë?” Edhe unë si e re, “Hajt se po vi!” Erdhëm në Gjakovë.

Tekia tha, “Unë me gru e me më mbajtë baba jo nuk rri, se boll, boll ka hekë me mu!” Edhe nji ditë qështu verës tha, “Po dal ku të gjej punë!” U shku në Malishevë, prej Malishevës u hi katuneve rend. Tha, “Ku hisha, më vetshin, ‘qysh e ki emnin?’ Tha, ‘unë ja u kam kallxu emnin’, ‘s’ka punë, s’ka punë, s’ka punë!’” Tha, “Kur mrriva në Carrallukë… ish kanë drejtori në oborr të shkollës,” ka qenë nji Abdyl Kelmendi. Edhe tha, “Na i qiti do pjeshka që janë si jeshile, se u untova,” tha, “shumë u untova e i hangra qato, u ula, ai po m’vetë, ‘A e njeh filonin gjakovar?’

Krejt për t’burgosun,” tha, “m’vetke, dikur po më thotë, ‘ku p’i njeh mer’ ti?’ Thashë, ‘Po unë jam Tekia, edhe unë jom kanë…’ ‘Ka punë për ty, menjiherë’, tha, ‘Më tha!’” Tekia i ka thanë, “Po edhe grun pa punë e kom…” “Edhe për grun!” “Po s’kemi ku me fjetë”. “Edhe me fjetë…” Erdh më murr e shkum në Carrallukë, kemi nejtë nji vjet. Unë s’kom nejt nji vjet se jom kanë shtatzanë, jom ardhë ma përpara. Tekia ka nejtë nji vjet, qaty kem punu nji vjet. Unë e kom pasë gjimnazin, unë ma e dijshme se Tekia, kom japë krejt landtë e Tekia klasën e tretë, se s’ka pasë gjimnaz, s’ka pasë shkollë të mesme, ai e ka pasë veç nji vjet.

Klasën e tretë tretë e ka mësu, e kishim zyren e sekretarit, na lëshun. Me dalë pi atyhit me shku mësim, pa i la sytë, pa u krehë se s’kishim hiç! Aty shkojshim jepshim msim. Masdite na thirrshin në katun, po ju vike keq edhe pse unë masnej jom ardhë unë në Gjakovë, se drejtori më tha, “Thuji që ki me lindë ma herët edhe shko në shpi!” Ai [Tekia] met’ vetë thojke, “Lehtë se po shkoj napër shpija!” E marrshin me bujtë e me hanger bukë se me ble bukë u dashke me shku në Malishevë, 40 minuta për m’i ble nji bukë..

Kështu që ma shumë s’kemi pasë hiç. Masnej lindi Nora, shkumë në Prishtinë. Kur shkumë në Prishtinë, s’kishim as shpi as… Jusufi [Gërvalla] e ka pasë nji djalë, gruen edhe nji dhomë me qira. Shkumë te Jusufi nejtëm, mas do dite nji gjakovar, e ka pa Tekinë, ka thanë, “Po vi me ju pa!” Erdh ai po rrin, po vetë, “Ku po fleni?” Tekia po i thotë, “Qitu nji dyshek Jusufi me djalë e me grunë, qitu edhe ne, me Norën”. Ai po i thotë, “Merrne Norën, çikën e hajdeni 61 te unë, po ua lëshoj nji dhomë”. Çfarë gëzimi… E hini Tekia me nji katun në punë po nuk shkoi shumë e qiten, masnej Norën e kemi pru në Gjakovë. Kur e lamë Norën, tha, “Hin ti në punë se masi s’po më lajnë mu, s’kem rrugëdalje!” Hina unë në Magure, në Golesh, në pesë u kanë autobusi me shku me dhanë mësim që s’e gjejshe autobusin…

Na në Breg të Diellit me shku… stacioni u kanë te pazari atje, me shku me dhanë mësim. Tekia botojke, vazhdimisht shkrujke, edhe shkumë nji herë qështu verës në Shkup me marrë honorar… Kur u shku, u kanë veç drejtori aty, i ka thanë, “Vonë je ardhë Teki, krejt janë mshelë, s’ka!” Edhe ai i ka thanë, “Hajde shkojmë e pijmë ka nji gotë raki e masnej shko”. Tu bisedu i kish pasë thanë Tekisë, “A ishe hi në punë këtu?” Tekia i ka thanë, “Krejt Kosova s’po munen me më pranu”. “Unë të pranoj,” ai i ka thanë.

E mas disa muajve janë kanë ardhë prej Shkupit dy gazetarë, drejt e në shpi këtu në Gjakovë, thojnë, “Të kanë pranu!” Shkoi në Shkup Tekia, unë rrisha në Prishtinë, hala punojsha në Magure, nji shpi me qera, masnej ai nji ditë po thotë, “A po vjen me mu në Shkup, hiç mos shko në punë?” “Hajt se po vi!” Kur shkova, ai drejtori p’i thotë, “Hajde Teki dalim të pijmë”. Ka pi edhe Tekia edhe ai, kanë pi, edhe si i ri ka pi pak Tekia… Tekia i ka thanë, “Jo sot s’muj se e kom grunë”. Ai po thotë, “Ku është?” Ky i ka thanë, “Te gratë!” Aty kish gra të gazetës… Masnej ai erdh, po më thotë, “A je mire?” Unë po i thom, “Mirë!” “A punon dikund?” Thashë, “Me nji fshat të Prishtinës qaty…” Tha, “Prej nesër ti këtu je në punë!” Kemi punu në gazetën “Flaka e vëllazërimit”. Tekia ka punu 12 vjet, e kanë qitë masnej, unë kom vazhdu, kom udhëtu Prishtinë – Shkup. Masnej Tekia u hi korrektor në “Rilindje”.

Nji kohë korrektor, masnej u ba gazetar, në “Zëri i Rinisë”. Kur e shkroi nji shkrim… Në ‘92 – shin e ka shkru nji shkrim, “Kombi ma i flliqtë në botë janë turqit”, u ba ajo punë shumë, shumë e madhe, edhe prej atyhit e qitën masnej kaloi tek “Bota Sot” S’di! Veç unë me hjekë! E kanë përcjellë, e kanë përcjellë, e kanë përcjellë natë e ditë, natë e ditë, te dera na kanë nejtë dy golfa, njo si qitu me nejtë, njo ma atje a din me ditë ka po shkon… I kanë përcjellë edhe çikat. Gjithë, gjithë, gjithë! Në dhomë na hike polici, si qitash që jem tu nejtë me hi pa trokitë qitu.

*Ky rrëfim është pjesë e projektit “Hije të shtrembëruara: Libër kujtimi me rrëfimet e ish të burgosurve politikë në burgun e Goli Otokut” i implementuar nga Integra me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Rockefeller Brothers Fund.

 

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]