fbpx

Për Vasfije Krasniqin fitorja në zgjedhje është vetëm 100 metërshi i parë, jo finishi

nga Revista Kosovarja

Deputetja më e re e Kuvendit të Kosovës, Vasfije Krasniqi ka reaguar pasi arriti të siguroi votat që të bëhet legjislaturës së re.

Ajo në postimin që ka bërë u shprehë se kjo fitore nuk duhet parë si vijë finishi, pasi që është vetëm 100 metërshi i parë, transmeton Indeksonline.

Postimi i plotë i Vasfije Krasniqit:

Të dashur bashkëqytetarë, më së fundi kemi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. Në një kohë të vështirë, në një situatë unike, në një përballje me problemet ekonomike e shoqërore, me cështjet e drejtësisë e arsimit, me pandeminë e raportet me fqinjin verior, populli bëri zgjedhjen e drejtë e të guximshme. I besoi drejtimin e shtetit një fryme të re e moderne, njerëzve që mbështesin e përqafojnë ide të qarta për të sotmen e që do të shërbejnë si bazë e së nesërmes.

Kjo fitore e grupit progresist të udhëhequr nga dyshja Kurti – Osmani nuk duhet parë si vijë finishi, është vetëm 100 metërshi i parë i një stafete në të cilën kryesojmë, por në këtë garim nuk mundet kurrsesi të humbim përqëndrimin e vendosmërinë, pasi kemi pengesa për të kapërcyer, situata për të zgjidhur, përgjigje për të dhënë, gracka për të shmangur e fitore për të kurorëzuar.

Unë do të hy për herë të parë në tempullin e demokracisë. Do të kem emocione, është njerëzore, por do të jem e fortë, do të ndihem e tillë se atë mbështetje ma kanë dhënë mbi 60 mijë preferencat tuaja. Ju faleminderit.

Ato 60 mijë preferenca më bëjnë të ndjej gjithashtu, edhe përgjegjësinë e madhe, janë një kryq i rëndë, po për ta mbartur do të kem edhe ndihmën tuaj, nuk kam dyshime.

Së bashku do të luftojmë për drejtësi. Kur të sistemojmë të shkuarën, kur ligji të ketë thënë fjalën mbi përgjegjësit e masakrave, vrasjeve, dhunës, djegijeve, dëbimeve, athere shpatullat do të na drejtohen nga krrusja e gjatë, do të shohim vetëm përpara më në fund, pa pengje në shpirt, pa krisje në ndërgjegje. Atëhere do të ndjejmë në fytyrë, në krahë e kraharor, frymën e së ardhmes.

Unë do të luftoj me të gjitha forcat e mija për atë ditë.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]