fbpx

Përmbytje në disa zona të Kosovës

nga Revista Kosovarja

Në disa rajone të Kosovës janë regjistruar vërshime si pasojë e reshjeve të borës dhe shiut.

Komuna e Malishevës përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka njoftuar se Lumi Mirusha përsëri ka dalë nga shtrati, ndërsa dy ura janë të mbuluara me ujë.

“Është rritur niveli i ujit në lumin Mirusha dhe në rrjedhat tjera të ujërave, duke shkaktuar daljen nga shtrati të lumit, kryesisht në prona bujqësore, por edhe në rrugë dhe si pasojë rruga Mirushë-Gurbardh është bllokuar, dhe vështirësi ka edhe në akset rrugore Malishevë-Kijevë, Malishevë-Banjë dhe Turjakë-Bubël, ndërsa rrugët në malet e Berishës, janë të kalueshme, pasi është larguar bora nga rrugët”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit një pjesë e lagjeve “Shala” dhe “Tovërlanët” është vërshuar si pasojë e ngushtimit të shtratit të një përroske.

Në fillim të muajit janar, disa rajone në Kosovë u vërshuan si pasojë e reshjeve të shumta.

Vërshimet shkaktuan dëme të mëdha tek ekonomitë familjare, bizneset, në bujqësi dhe në infrastrukturë.

Komunat e Kosovës që u prekën nga vërshimet krijuan komisionet për evidentimin e dëmeve. Deri më tani ende nuk dihet për vlerën e saktë të dëmeve.

Për dëmet e shkaktuara, Qeveria në detyrë e Kosovës përmes një Fondi Emergjent ka ndarë 1 milion euro për kompensim.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]