Përplasjet e fundit në distancë ndërmjet presidentes Vjosa Osmani dhe Kryeministrit Albin Kurti, posaçërisht në raport me aleatët, vlerësohet se nuk do të kalojnë pa pasoja. Analisti politik Belgzim Kamberi, tha se dallimet për çështjet e rëndësishme të shtetit ndërmjet udhëheqësve të shtetit, do të reflektojnë edhe në qeverinë e cila do të vijë pas zgjedhjeve të reja.
“ Po patjetër që do të reflekton veçanërisht në dialogun Kosovë – Serbi pasi që presidentja e ka peshën e vet kushtetuse dhe në këtë aspekt do të reflektojnë edhe dallimet edhe pozicionimet që do të merren pas 9 shkurtit pra do të varet se si do të veproj pastaj presidentja a do të përfshihet prap në lojën politike apo do të synoj një qeveri në të cilën nuk do të jetë kryeministri Kurti”, tha Kamberi
Ditë më parë presidentja Osmani, kritikoi vendimin e qeverisë për çështjen e pjesëmarrjes në CEFTA-në ndërkaq kritike është shprehur edhe për zhvillimet rreth agjendës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Në këtë rrafsh analisti politik, Arton Demhasaj, thotë se këto përplasje do të sjellin pasoja negative për vendin.
“ Normale që sjellin pasoja sepse moskoordinimi i institucioneve dallimet që patën e dështuan Kosovën që të anëtarësohet në Këshillin Evropian…”, tha Demhasaj për rtv21.
Njohës të fushës politike vlerësojnë se dallimet në qëndrime mes dy udhëheqësve shtetëror janë shpërfaqur qysh nga fillimi. Sipas tyre kjo mënyrë e funskionimit, mund të reflektojë në votat e elektoratit në zgjedhjet e ardhshme.
“ Kjo mbetët të shihet nuk mund të themi se presidentja Osmani nuk ka fare fuqi elektorale pasi që 51 % e kanë bërë bashk por që mbetet të shihet më 9 shkurt nuk do të kaloj edhe krejt pa pasoja LVV-ja”, tha Belgzim Kamberi.
“Të dy do të dalin të djegur sepse mendoj që Kurti smund të arrijë mbi 50% pa Osmanin dhe në anën tjetër presidentja pa mbështetjen e LVV-së nuk ka se si ta arrijë edhe një mandat tjetër presidencial, Arton Demhasaj, analist politik
Presidentja Osmani ditë më parë ka deklaruar se ende nuk ka vendosur për të ardhmen e saj politike, ndërkohë që kryeministri Kurti besohet se do të synoj edhe një mandat tjetër për postin e kryeministrit.