fbpx

Presidentja Osmani: Trump i bën gjërat më ndryshe dhe ndonjëherë ka më shumë sukses

nga Revista Kosovarja

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar për presidentin amerikan, Donald Trump, dhe kritikat e tij ndaj Bashkimit Evropian dhe NATO-s, në një intervistë me Mario Nawfal.

Ajo ka theksuar se Shtetet e Bashkuara, për shkak të kontributit të jashtëzakonshëm që kanë dhënë për një Evropë të lirë dhe në paqe, kanë të drejtë të flasin për disa çështje që ata konsiderojnë se nuk janë të bazuara në vlerat që i besojnë.

“Shtetet e Bashkuara kanë dhënë një kontribut historik për një Evropë të lirë dhe paqe. Ky kontribut është i padiskutueshëm dhe mendoj që për shkak të këtij kontributi, ShBA ka të drejtë të flasë kur ka disa gjëra që ata mendojnë se nuk janë të bazuara në vlerat që ata u besojnë”. ka thënë Osmani.

Sa i përket deklaratave të zëvendëspresidentit amerikan, JD Vance, dhe presidentit Trump, Osmani ka theksuar se nuk mendon që ato rrezikojnë Bashkimin Evropian. Ajo ka thënë se këto deklarata janë një thirrje për Evropën që të zgjohet dhe të punojë më shumë për mbrojtjen e interesave të saj.

“Nuk mendoj që fjalimi i zv.presidentit amerikan JD Vance apo deklaratat e Trump po rrezikojnë në ndonjë mënyrë BE-në. Krejt e kundërta, mendoj se është një thirrje për Evropën që të punojë më shumë për mbrojtjen e saj dhe të mbrojë interesat e saj”, tha presidentja Osmani.

Osmani theksoi se lidhja mes ShBA-së dhe Evropës nuk është në rrezik dhe se Trump ka një mënyrë ndryshe për të menaxhuar gjërat, një qasje që shpeshherë është e suksesshme.

“Nuk mendoj që lidhja mes ShBA-së dhe Evropë është në rrezik. Thjesht, presidenti amerikan ka një mënyrë më ndryshe për t’i bërë gjërat, ka një qasje ndryshe për t’i zgjidhur problemet dhe ndonjëherë kjo del të jetë më e suksesshme se çfarë kemi parë në të kaluarën“.

Ajo beson se presidenti amerikan do të vazhdojë të mbështesë NATO-n dhe të ruajë marrëdhëniet e forta me Evropën.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]