Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen ngjarje të tilla, ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë fizike e psikike nga burrat me të cilët vendosin ta kalojnë jetën.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në një familje në Veternik të Prishtinës, ku një 28-vjeçare ka kërkuar ndihmën e Policisë, si pasojë e dhunës së ushtruar nga bashkëshorti i saj.
Sinjali mëson se 30-vjeçari po dyshohet se ka sulmuar fizikisht gruan e tij, të cilën e ka goditur, duke i shkaktuar kështu lëndime trupore, pas një mosmarrëveshje që kanë pasur mes vete.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arritur që ta arrestojnë burrin e dyshuar, i cili më pas u shoqërua në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.