fbpx

Pse bëhet vjedhja e votave brenda partisë?

nga Revista Kosovarja

Në PZAP janë dërguar shumë ankesa për vjedhje votash brenda së njëjtës parti, shkruan “Kosovarja”.

Disa kandidatë për deputetë, e që nuk kanë marrë vota të mjaftueshme për mandat deputeti nga subjekti politik, janë ankuar në PZAP se vota e tyre është tjetërsuar apo bartur brenda partisë te kandidati tjetër.

Me gjasë, bartja e votave nga njëri kandidat te tjetri brenda partisë, është vjedhje e pastër e votës që bëhet për dy qëllime:

E para, kandidati që e preferon partia, mund ta ketë ndihmën e partisë për të qëndruar në skenë politike, shkaku se është më i besuari për subjektin, krahasuar me tjetrin të cilit i vidhen votat.

E dyta, votat mund të blihen apo tjetërsohen në mënyra të ndryshme nëpërmjet komisionerëve të subjektit politik.

Dhe, konform parregullësive në zgjedhjet e fundit, ka shumë zëra që po ankohen për lëvizje të votave brenda partisë nga një kandidat te tjetri.

Ankesat e disa kandidatëve për deputetë nga AAK, LDK dhe AKR janë duke u shqyrtuar, e disa janë hedhur poshtë si të pabazuara, meqë të ankuarit nuk kanë paraqitur mjaftueshëm fakte se u janë vjedhur votat.

Por, përveç ankesave zyrtare me shkrim në PZAP, në qarqe okulare ka zëra për manipulim votash brenda partisë.

Votat e tilla, të vjedhura, nuk e dëmtojnë partinë apo subjektin politik, por e dëmtojnë kandidatin e caktuar, sepse vota e tij kalon te tjetri!

Sidoqoftë, parregullësitë zgjedhore në Kosovë nisin qysh në fushatë zgjedhore, kur disa kandidatë për deputetë bëjnë më shumë fushatë në një komunë tjetër sesa në komunën e vet!

Kjo ndodh shpesh për arsye të afërsive familjare, shoqërore apo edhe profesionale.

Dhe, në rast se fitojnë, të tillët nuk i përfaqësojnë interesat e asaj pjese ku kanë fituar vota të mjaftueshme, por interesin e vet personal.

Prandaj, Kosova, si një zonë e vetme zgjedhore, duhet t’i ndryshojë shumë ligje të kësaj natyre, me ndryshimin e ligjit zgjedhor që pritet të ndodhë në të ardhmen, së bashku me ligjin për zgjedhjen e presidentit nga populli. Safet Krivaça /Kosovarja/

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]