Vala

Isha vetëm 17 vjeçe kur mbeta shtatzënë. Ai që më la në këtë gjendje u martua me një tjetër. Mbeta e vetme, me shpirt të helmuar, pa ditur kah t’ia mbaj. Mendoja fshehurazi ta lindja foshnjën e ta hiqja qafe, ta lija kudo, para derës së ndonjë shtëpie. Por, nuk ndodhi ashtu…, shkruan për Portalin tonë “Kosovarja”, Flutura, nga një fshat i Fushë-Kosovës.

E shihja si më rritej barku dhe se do më zvogëlohej pas nëntë muajsh përsëri. Nuk kishte rëndësi për mua a do jetë vajzë a djalë. Mezi prisja të çlirohesha e ta hiqja qafe! Babai i fëmijës as që dinte se isha shtatzënë, sepse gjithmonë ma ka tërhequr vërejtjen se nuk guxoj të mbetëm shtatzënë para se të martohemi. As unë nuk e dëshiroja këtë, sepse isha e re, në vitin e katërt të shkollës së mesme. E, ajo që kishte ndodhur më nuk kishte si të përmirësohej…

Por, sapo ma vunë foshnjën mbi kraharor, sapo e pash për herë të parë, një mori ndjenjash më të forta se dhembjet lindjes e vërshuan trupin tim. Në atë çast vendosa se, edhe po të përmbysej bota, nuk do e braktisë fëmijën tim.

Tash im bir është rritur, kurse unë jam 23 vjeçe. Ai i di të gjitha: edhe për mënyrën se si ka ardhur në botë, edhe për babanë që nuk e ka parë kurrë, për vuajtjet e nënës së tij… Ai është i preokupuar shumë pas lojës, e në fshatin ku jetojmë në periferi të Fushë-Kosovës ka ku të argëtohet.

Në të njëjtin oborr ku luan ai dikur kam luajtur edhe unë, e që pas lindjes kurrë nuk e kreva maturën, sepse iu përkushtova djalit me tërë qenien time…

Mendoja se më donte
Babanë e djalit tim e njoha në një dasmë, në fshatin e tij, në Llap. Më pëlqeu shumë. Ai vinte çdo fundjavë në fshatin tonë, te të afërmit. Isha e re dhe shumë u dashurova në të. Kaluam disa muaj bashkë, andaj edhe mendoja se lidhja jonë ishte serioze. Se do të mbetesha shtatzënë as që më kishte shkuar në mend. E konsideroja veten mjaft të mençur. Për këtë gjithmonë më kishte frikësuar nëna, duke më folur për pasojat. Por, koha tregoi se nuk kisha qenë edhe aq e mençur. Dhe, jo vetëm që mbeta shtatzënë, por as të dashurin tim nuk dita ta vlerësoja!

Një ditë pa pritur më tha se do të martohej dhe se i kishin filluar përgatitjet për dasmë. Nuk i tregova se po ato ditë e kisha kuptuar se kisha mbetur shtatzënë. Nuk më la krenaria… Nuk doja t’i lutesha e ta nënçmoja veten para tij.

E kam shumë vështirë t’i kujtoj ato çaste… Nuk kisha me kënd ta ndaja vuajtjen time dhe të çlirohesha nga ajo barrë e rëndë. Mendoja e mendoja, por nuk gjeja rrugëdalje nga situata e krijuar…

Dhe, në ato çaste tmerri më lindi ideja: ta mbaja shtatzëninë tinëz dhe të lindja fshehurazi. Prandaj, habitem me vetveten se sa naive kam qenë: nuk ke si t’i ikësh realitetit…

As në çastet kur më kapluan dhembjet e lindjes nuk guxova t’i tregoja nënës sime. Ajo mendonte se kisha dhimbje barku. Kur shkuam në spital dhe mjeku më tha se e kam kohën të lindi, ajo u alivanos. Dhe, kurrë nuk do ta harroj turpin e asaj nate… Rrinim të heshtura: secila me vuajtjet e saj…

Ikën ëndrrat
Linda djalë. Ishte një qenie e brishtë, por e mrekullueshme. Në atë çast që e pash dhe e preka për herë të parë, vendosa: edhe po të përmbysej bota, unë nuk do të hiqja dorë nga djali.

Dhe, nga ai çast mbetën nën hije të gjitha vuajtjet, mbetën nën hije dhembjet e tmerrshme të lindjes, mbeti nën hije realiteti me të cilin do të ballafaqohesha kur të kthehesha në shtëpi, mbeti nën hije edhe fakti se më kurrë nuk arrita të diplomoja… Para meje u hap një portë e re. E, këtë ndjenjë e ka provuar secila nënë e cila e rritë fëmijën pa babë… /Flutura “Kosovarja”/

MUND TË JU PËLQEJNË