fbpx

Pse i humbi zgjedhjet PDK-ja?

nga Revista Kosovarja

Partia që e dominoi politikën kosovare për dy dekada, më në fund, ka humbur e pa dorëzuar. Dhe, faktorët që quan në humbjen e PDK-së janë të shumtë, shkruan “Kosovarja”.

Pa dyshim, ky shtet që ka ardhur deri këtu ku është sot, me të mira e të meta, është kryesisht meritë dhe dështim i kësaj partie.

Hashim Thaçi për dy dekada ka qëndruar në krye të shtetit, qoftë me pozitën e kryeministrit, por edhe të presidentit, qoftë me LDK-në në koalicion, por edhe me Ramushin në krye të qeverisë, duke e zbatuar projektin Thaçi.

Por, Thaçit i është dridhur karrigia edhe pa ardhur në pushtet “Vetëvendosja”.

Humbja e partisë që e solli shtetin e Republikës së Kosovës deri këtu, është pritur të ndodhë, por jo në nivelin e degradimit që ka ndodhur.

Si ndodhi rënia e PDK-së?

PDK-ja është përçarë në terrenin e shtrirjes horizontale. Në shumë degë, shumë anëtarë të vjetër të PDK-së dhe zyrtarë të degëve, kanë punuar për Albin Kurtin.

Djemtë e baballarëve që kanë qenë zyrtarë të kësaj partie deri para dy-tre vjetësh, kanë shkuar pas fëmijëve të tyre me vota në “Vetëvendosje”. Pra, kanë votuar pro fëmijëve të tyre…

Në shumë degë në terren, si, bie fjala, në Lipjan, dega e PDK-së është ndarë në dy klane. Klani i vjetër që ka reputacion dhe klani i të rinjve që nuk i dinë as dy fjalë kryq në politikë.

PDK-ja në Lipjan i shërben në tri palë zgjedhjet e fundit një grupimi të Ferizajt, që mbron interesat personale të bizneseve të pista dhe kriminale përmes partisë.

Deputetët e kësaj partie nga Ferizaj, më shumë marrin dhe blejnë vota në Lipjan sesa që marrin në Ferizaj!

Dhe, në po këtë stil, janë edhe disa degë në terren, e që bëjnë dasmë me vota dhe me komisionerë të partisë.

Në PDK ende dominon fryma e votimit me presion dhe shantazhim të kolegut nga kolegu.

PDK-ja, si partia që ka më së shumti kuadro profilesh të ndryshme, kanë mentalitet monopolist, nën bindjen se janë të pazëvendësueshëm.

Prandaj, në momentin kur kanë mbetur pa pozita, janë larguar nga partia, apo kanë treguar oportunizëm duke mbetur neutral.

Problemet në PDK-në qendrore

Që nga largimi i Hashim Thaçit, PDK-ja ka shënuar rënie. Mbetja e PDK-së në duar të Kadri Veselit, nuk i është nënshtruar reformimit të duhur.

Sidoqoftë, në PDK ka ndodhur një reformim sa për sy e faqe, duke i distancuar do akterë të aferës “Pronto”, por duke i mbajtur ende në parti disa të tjerë, e që nuk kanë qenë bash për “kurbana”.

Megjithatë, me shkuarjen në Hagë të Kadri Veselit, është bërë zgjedhja e gabuar për ushtrues detyre e kryetarit të partisë.

Enver Hoxhaj ka qenë emërim i gabuar. Në vend të tij ka pasur mundësi të jetë edhe gjithkush tjetër që ka më shumë merita në PDK.

Gabimi i Enver Hoxhajt në udhëheqjen e PDK-së ka rezultuar butë me të gjithë. “Po” atij e “po” këtij, Hoxhaj ka mbjellë probleme nëpër degë me kandidatët për deputetë në zgjedhjet e fundit.

Nëpër komuna janë zyrtarizuar dhjetëra kandidatë, e që ka reflektuar për të keq në degët e PDK-së dhe në shtrirjet komunale.

Në shumë degë kanë nxitur rivalitet destruktiv elektoral dhe përçarje ndërmjet kandidatëve.

Andaj, me veprime të tilla, Hoxhaj ka krijuar konflikt ndërmjet anëtarësisë së PDK-së në terren dhe si pasojë, shumë zyrtarë të kësaj partie, duke parë se çka po ndodhë në terren, kanë punuar për “Vetëvendosjen”!

Pa dyshim, do të kishte qenë tjetër rezultat votues në PDK, sikur shumica e degëve t’i kishin deleguar nga dy apo tre kandidatë për deputetë.

Por, Enver Hoxhaj nuk ia ka prishur askujt në parti, duke synuar të jetë “mirë me të gjithë”, e që në këtë synim ka krijuar konflikte dhe gjendje tensionuese brenda PDK-së në terrenet komunale.

Andaj, nëse PDK-ja nuk reagon shpejt me ndryshim të strukturës udhëheqëse nëpër degë, duke i ndërruar disa kryetarë aktualë dhe duke i dhënë një “infuzion” partisë edhe me disa zyrtarë të vjetër që i do populli, në zgjedhjet e radhës e pret fati i LDK-së së 14 marsit. Safet Krivaça /Kosovarja/

 

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]