fbpx

Qarkullimi në kufirin Kosovë-Shqipëri do të bëhet pa ndalesë, do të monitorohet me kamera

nga Revista Kosovarja

Ministri i Punëve të Brendshme në Shqipëri Bledi Çuçi ka thënë se, para nisjes së sezonit të verës, qarkullimi në kufirin Kosovë-Shqipëri do të jetë pa ndalesa.

Ai në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Elbasan tha se kjo nuk është pjesë e marrëveshjeve, por për këtë ka dakordim mes dy kryeministrave.

Çuçi ka sqaruar se qarkullimi në kufirin tokësor mes Kosovës dhe Shqipërisë do të monitorohet me kamera, njofton Klankosova.tv.

“Nuk është pjesë e marrëveshjes, por me kërkesë të kryeministrave të Shqipërisë dhe Kosovës [Edi Rama dhe Albin Kurti] në mbledhjen e fundit të dy vendeve tona kemi rënë dakord me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës [Xhelal Sveçla] që do të vëmë një sistem kamerash në kufi dhe qarkullimi do të bëhet pa ndalim dhe kamerat do të regjistrojnë vetë çdo gjë sa i takon identitetit të makinës që kalon përmes leximit të targës dhe çdo gjë do të jetë automatike pa pasur nevojë fare që të ndalojë në kufi. Kjo është përpjekja e të dyve që tashmë e kemi ndërmarrë dhe kemi bërë edhe planin e punës për këtë dhe besojmë që do të jetë shumë më shpejt sesa fillimi i sezonës së verës”.

Ai ka njoftuar po ashtu se edhe gjatë kësaj fundjave, për shkak të fluksit të festës së 28 Nëntorit, s’do të ketë kontrolle në kufi.

“Sa i takon flukseve të mëdha dhe jo të zakonshme përpara sezonit, duke përfshirë edhe festën e 28 Nëntorit, ku lëvizja në të dy anët e kufirit do të jetë me fluks të shtuar kemi dhënë porosi në të dy anët e kufirit që të mos ketë kontrollë dhe asnjë pengesë për qarkullimin e shtetasve në periudhën e fundjavës së gjatë që e krijon festa kombëtare e 28 Nëntorit. Besoj që jemi në rrugë të mbarë për të përjetuar një lehtësi qarkullimi pa e kuptuar që ne jemi dy shtete të ndryshme”.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]