Në shtëpinë e Big Brother VIP Albania, Loredana ndau një histori të ndjerë nga jeta e saj, e cila preku jo vetëm banorët, por edhe publikun.
Ajo foli për përvojat e saj me racizmin në fëmijëri, vështirësitë në familje dhe vendimet që e kanë shënjuar.
“Në Itali isha shqiptarja, ndërsa në Shqipëri isha italiania. Në fillore filloi racizmi. Isha e vetmja shqiptare në atë shkollë. Unë kisha problem me të folurën dhe më bënin shaka, por këto shaka bëheshin të tepruara. Babi filloi të mos rrinte fare në shtëpi. Filloi të luante lojëra fati, që për ne ishte fat i zi. Unë isha vetëm 12 vjeçe. Riku rrinte gjithmonë në dhomë, mami qante. Janë disa skena që nuk kam për t’i harruar. Kisha mamin në depresion. Nuk ishte më prezente si më përpara, nuk kishte më atë përkujdesjen”, tha ajo.
Më tutje ajo vazhdoi: “Mami filloi të largohej nga njerëzit. Të rrinte në krevat, të mos fliste. Fillova unë të bëhesha shtylla e shtëpisë. Kur gjithçka mbaroi, ne të katërt u bëmë ‘Katër Fantastikët’. Ata kanë sakrifikuar çdo gjë për të na rritur ne. Gabimi im i fundit nuk po më lë rehat. Fakti që i thashë ‘jo’ babit për Jozin, edhe po të ktheja kohën mbrapa, do të bëja të njëjtën gjë. Por a ja vlejti? E gjithë eksperienca e jetës time më bën që të jem Loredana Brati dhe kësaj jete do t’i marr më të mirën. Do t’u tregoj atyre dy prindërve që unë mund t’ia dal. Unë kësaj jete ose do t’i marr më të mirën ose s’ka”.
Gjatë një bisede me Ledion Liçon në Dhomën e Rrëfimit, Loredana tregoi se dëshiron të provojë forcën e saj përballë prindërve.
“Buzëqeshja ime e ka burimin te eksperiencat. Nuk ia vlen të dëshpërohesh. Jeta vazhdon dhe ne duhet të ecim përpara. Nuk mund të kërkosh fuqi te askush tjetër përveçse te vetja jote. Unë këtë gjë kam pasur brenda vetes gjithë kohës. Dhe dua t’i tregoj mamit dhe babit që jam e fortë dhe mund t’ia dal. E harroj ndonjëherë se sa e fortë jam. Por, kam dëshirën që të jem modeste me këmbë në tokë. Kështu jam mësuar”, u shpreh ajo.
Pak çaste më vonë, Loredana u surprizua nga mamaja e saj në Dhomën e Surprizave, ndërsa banorët e tjerë nuk i mbajtën dot lotët.
Kur u pyet për marrëdhënien mes Loredanës dhe Jozit, mamaja e saj u shpreh: “Ka ndryshim, sepse Jozi, qëkur është futur herën e dytë në shtëpi, e ka respektuar më shumë Loredanën. Fjalët që i tha babai i Loredanës, ai po i respekton”.
Pas Loredanës, edhe Jozi pati një takim me mamanë e saj, ku shkëmbyen një përqafim të ngrohtë.