Enver Sekiraqa, i akuzuar për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza, kishte qëndruar nën masën e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak mbi 10 vite.Sekiraqa kishte qëndruar në paraburgim nga 30 janari 2014 deri më 19 tetor 2017 kur nga Gjykata e Apeliti u vendos që t’i ndryshohej masa me arrest shtëpiak, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthejë në paraburgim Sekiraqën dhe për këtë, shkas ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi. Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.Sekiraqës, sipas aktgjykimit të marrë më 16 shtator 2019, në dënimin e shqiptuar prej 30 vjet burg për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, do t’i llogaritej koha e kaluar në paraburgim nga 30 janari 2014.
Kurse, në tetor të vitit 2021, të akuzuarit sërish iu ndryshua masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.Megjithatë, me aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 9 shkurt 2024, të pandehurit Enver Sekiraqa i ishte ndërprerë masa e arrestit shtëpiak më 10 shkurt 2024, dhe ndaj të njëjtit ishte urdhëruar masa e paraqitjes në stacionin policor.
Mirëpo, Gjykata e Apelit me aktvendimin e datës 23 shkurt 2024, ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale, ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e ka ndryshuar, duke caktuar ndaj Sekiraqës përsëri masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 muaj.Kurse, më 3 maj 2024 Gjykata e ka dënuar Enver Sekiraqën me 25 vite burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza. Të akuzuarit Sekiraqa me aktvendim të veçantë iu ndërpre masa e arrestit shtëpiak.
Ndërsa, Gjykata e Apelit, Departamenti Special më 17 maj 2024 pas ankesës së Prokurorisë Speciale mbi vendimin e Themelores, e cila më 3 maj 2024 ia kishte ndërprerë që masën e arrestit shtëpiak duke e lënë të mbrohej në liri, ka vendosur që Sekiraqa do të kthehet në paraburgim derisa aktgjykimi të marrë formë të prerë.Por, një ditë pas këtij vendimi, Policia ka njoftuar se nuk e ka gjetur Sekiraqën në shtëpi, për ta shoqëruar në paraburgim dhe deri tani i njëjti nuk është arrestuar.
I akuzuari Enver Sekiraqa, më 3 maj 2024, për herë të tretë pas kthimit të rastit në rigjykim u dënua me 25 vite burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza.Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.