fbpx

Secili qen mund ta nuhasë kancerin

nga Revista Kosovarja

Qentë kanë qenë gjithmonë miku më i mirë i njeriut. Nuk është diçka e ekzagjeruar nëse thuhet se ata na qëndrojnë pranë si në sëmundje ashtu edhe në shëndet.

Dëshmitë mjekësore po sugjerojnë se qentë tanë mund ta nuhasin kancerin tek njerëzit. Qentë kanë një nuhatje shumë të ndjeshme. Prandaj, studimet dhe incidentet e izoluara kanë treguar se qentë mund të zbulojnë shumë lloje kanceri në trup, shkruan portali “The Health”.

Ashtu si shumë sëmundje të tjera, sëmundjet e kancerit lënë gjurmë specifike ose shenja aromash në trupin dhe sekrecionet trupore të një personi. Studimet kanë treguar se qentë kanë një sens shumë të ngritur të nuhatjes dhe mund ta nuhasin këtë sëmundje. Hulumtimet kanë treguar se me disa trajnime, qentë mund të ndihmojnë në zbulimin e këtyre aromave specifike të kancerit dhe t’i paralajmërojnë njerëzit për praninë e tyre.

Në vitin 2018, një grua e quajtur Lauren Gauthier deklaroi për media se qeni i saj, Victoria, ia zbuloi kancerin e lëkurës dhe potencialisht ia shpëtoi jetën. Gauthier tregoi se si qenushja e vogël vazhdonte ta nuhaste një shenjë të vogël të kuqe në hundën e saj. Meqenëse qeni po ia nuhaste këtë zonë të veçantë të hundës në mënyrë të përsëritur, Gauthier filloi të mendojë se mund të ketë ndonjë problem dhe u drejtua te dermatologu. Pas një biopsie, ajo u diagnostikua me karcinomë të qelizave bazale, një formë e kancerit të lëkurës.

Ky rast studimi shkon prapa në vitin 2013, kur kafsha shtëpiake e një burri 75-vjeçar e lëpinte vazhdimisht një plagë pas veshit të tij. Pacienti kishte një histori ekspozimi të konsiderueshëm në diell dhe kishte vuajtur nga ekzema në adoleshencë. Më vonë mjeku i bëri testet diagnostike dhe konfirmoi melanoma malinje.

Studimet gjatë dekadave të fundit kanë treguar se qentë e stërvitur mund ta identifikojnë urinën e pacientëve me kancer të fshikëzës, pothuajse tre herë më shpesh sesa mund të ishte parashikuar. Po ashtu mund ta zbulojnë kancerin e mushkërive përmes frymëmarrjes, me saktësi të lartë. Ekzistojnë gjithashtu studime që vërtetojnë se qentë e stërvitur mund ta zbulojnë gjithashtu kancerin e vezoreve nga mostrat e gjakut dhe kancerin e prostatës nga nuhatja e urinës së një personi.

Ndërkaq në rastet e lartpërmendura, këto kafshë shtëpiake nuk ishin të trajnuara për të zbuluar kancerin dhe e kishin paralajmëruar pronarin në mënyrë më natyrale.

Një studim i prezantuar në Shoqatën Amerikane për Biokiminë dhe Biologjinë Molekulare, zbuloi se qentë mund ta përdorin shqisën e tyre shumë të evoluar të nuhatjes për t’i zgjedhur mostrat e gjakut të njerëzve me kancer, me pothuajse 97 për qind saktësi.

Një ekip urologësh dhe ekspertësh të tjerë në spitalin “John Hopkins”, e kanë shfrytëzuar nuhatjen jashtëzakonisht të ndjeshme të qenve si një mjet diagnostikues për kancerin e prostatës. Studiuesit i bënë dy qenë që t’i nuhasin mostrat e urinës nga burra të diagnostikuar me kancer të prostatës të shkallës së lartë dhe nga burra pa kancer. Rezultatet treguan se te dy qentë i identifikuan pesë nga shtatë mostrat e urinës së burrave me kancer, me një shkallë saktësie prej 71.4 për qind.

Qentë kanë receptorë të nuhatjes 10,000 herë më të saktë se qeniet njerëzore. Kjo i bën shumë të ndjeshëm ndaj aromave që ne nuk mund t’i perceptojmë. Ndërsa qentë nuk mund të tregojnë se çfarë nuhasin saktësisht, është mirë që të mos injorohet sjellja e tyre e pazakontë. Nëse kafsha juaj e dashur shtëpiake fillon t’i kushtojë vëmendje një pjese të trupit, mund të jetë vendim i mirë për ta kontrolluar atë tek mjeku.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]