fbpx

Shaip Kamberi e dridhi Beogradin!

nga Revista Kosovarja

Deputeti shqiptar nga Lugina e Preshevës në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, e dridhi Beogradin me paraqitjen e fakteve për gjenocid kulturor dhe etnik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, shkruan “Kosovarja”.

Ka vite që Serbia zyrtare po i shlyen shqiptarët nga evidencat e librave amzë, duke ua mohuar vendlindjen e tyre në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë.

Shlyerja e shqiptarëve po bëhet me qëllim që ata të mos jenë të evidentuar si banorë dhe votues.

Andaj, deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, e ka ngritur zërin protestues kundër këtij gjenocidi etnko-kulturor shqiptar në Serbi.

Shaip Kamberi në Parlamentin serb foli me fakte e dëshmi dhe në gjuhën shqipe. E, kjo është hera e parë që një deputet shqiptar ngre zërin në gjuhën shqipe në këtë parlament, ndaj problemeve që po i bën shteti serb kundër shqiptarëve.

Po ashtu, deputeti shqiptar, Shaip Kamberi, letrën ia dërgoi presidentit të SHBA-ve, Xhoe Bajdenit, kancelares gjermane Merkel, presidentit francez Makron, emisarit për ndërmjetësim Kosovë-Serbi, Lajçak dhe zyrtarit evropian Borrel dhe znj.Vonder Leyen.

Veç të tjerash, në letër deputeti Shaip Kamberi i ka pyetur: “A është kjo Serbia juaj demokratike”?

E, sebep për këtë diskutim të deputetit shqiptar Shaip Kamberi në Parlamentin e Serbisë, është vendimi për pafajësi i Ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Vulinit, meqë shqiptarët i quajti me termin fyes “shiptari”.

Ndërkaq, për këtë ofendim ndaj shqiptarëve gjykata e Beogradit Vulinin e shpalli të pafajshëm!

Por, veprimi i deputetit shqiptar Shapi Kamberi në Parlamentin e Serbisë, na e kujton Ramë Bllacën, deputet shqiptar në Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene më 1918, e ku bënte pjesë edhe Kosova.

Po ajo mbretëri kishte program të qartë shkombëtarizimin e shqiptarëve, mohimin e të drejtave për shkollim të shqiptarëve dhe largimin e tyre nga trojet etnike.

Gjithashtu, po ajo mbretëri, ua mori mbi 420 mijë hektarë tokë të punueshme shqiptarëve dhe ua pronësoi kolonëve serbë, për ta ndryshuar strukturën etnike shqiptare në Kosovë në vitet 1919-1933.

Deputetët shqiptarë të asaj kohe: Ferat e Nexhip Draga, Aqif Bluta, Halil Deralla, Ramë Bllaca dhe Sherif Agë Gjinoci, kundërshtuan botërisht politikat shoviniste të Serbisë ndaj shqiptarëve.

Por, ai që e pagoi me kokë kundërshtimin ishte Ramë Bllaca, të cilit i ofruan ta nënshkruajë dokumentin për shpërnguljen e shqiptarëve. Por, ai në Parlament e grisi dokumentin e ofruar.

Dhe, po atë ditë, gjatë kthimit në shtëpi, shteti serb organizoi atentat ndaj Ramë Bllacës. Safet Krivaça /Kosovarja/

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]